BotëRajonUncategorized @sqXLajme

Von der Leyen nisi turneun në Ballkan, të mërkurën vjen në Shkup

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka filluar sot turneun e saj tre-ditor në Ballkanin Perëndimor, me ndalesën e parë në Tiranë. Turneu do të përfshijë disa nga kryeqytetet e rajonit, ndërsa vizita në Shkup është planifikuar për të mërkurën pasdite.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Von der Leyen do të takohet në Shkup me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Vizita vjen në një moment kyç për Maqedoninë e Veriut, e cila ende pret të bëjë përparim në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Në ditën e parë të turneut, Von der Leyen zhvilloi takime në Tiranë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama, ku mori pjesë edhe në hapjen e Forumit Rajonal të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Pas Tiranës, ajo udhëtoi për në Tivat të Malit të Zi, ku u takua me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.

Gjatë së martës, Von der Leyen do të marrë pjesë në Konferencën e Investimeve për një të Ardhme të Gjelbër dhe të Mençur, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Sarajevës për takime me udhëheqësit e Bosnjës e Hercegovinës dhe për vizitë në Qendrën Memoriale të Srebrenicës.

Nga Bosnja, ajo do të vazhdojë për në Beograd për takime me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Gjuro Macut, e më pas për në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Shkupi do të jetë ndalesa e fundit e turit të saj në rajon.

Maqedonia e Veriut mbetet ende e bllokuar në procesin e integrimit evropian për shkak të kontestit me Bullgarinë, që kërkon përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si kusht për hapjen e mëtejshme të negociatave. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend, çka mbetet sfidë për qeverinë aktuale.

Në korrik të vitit 2022, pas miratimit të të ashtuquajturit “propozim francez”, Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht bisedimet qasëse me BE-në, por procesi është pezulluar derisa të realizohen ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë.

Related Articles

Back to top button