OSBE/ODIHR: Identiteti kombëtar dhe përfaqësimi etnik, në qendër të fushatës zgjedhore në RMV

Çështjet e identitetit kombëtar dhe përfaqësimit të komuniteteve etnike po dominojnë fushatën para zgjedhjeve lokale të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut – vlerëson Misioni i OSBE/ODIHR në raportin e përkohshëm të publikuar më 3 tetor, që mbulon periudhën 5 shtator – 1 tetor 2025.
Sipas misionit, vendi hyn në zgjedhje në një klimë të thellë politike dhe etnike të polarizuar, me pakënaqësi në rritje ndaj institucioneve dhe perceptim të fortë për korrupsion. “Debatet mbi identitetin dhe barazinë etnike dominojnë diskursin publik, bashkë me kërkesat për reforma që do të përshpejtonin integrimin në Bashkimin Evropian”, thuhet në raport.
Dokumenti vë në dukje se edhe pse procesi zgjedhor rregullohet me Kushtetutë, Kod Zgjedhor dhe aktet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, shumë nga rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR nuk janë zbatuar ende. Një prej shembujve më të fundit është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që në maj shfuqizoi kërkesën për mbledhjen e firmave të kandidatëve të pavarur – boshllëk që KShZ e zëvendësoi me kërkesën për vetëm dy firma mbështetëse.
Raporti thekson gjithashtu parregullsi në fushatat online, me aktivitet të parakohshëm të disa kandidatëve dhe përdorim të retorikës mizogjene ndaj grave. Kjo, sipas OSBE/ODIHR, dëmton barazinë gjinore dhe klimën demokratike të garës.
Një tjetër problem që mbetet i pazgjidhur është saktësia e listave zgjedhore – nga 1,83 milionë qytetarë me të drejtë vote, rreth 1,72 milionë kanë banim të përhershëm në vend, por shumë të tjerë figurojnë në lista edhe pse jetojnë jashtë shtetit. Sipas misionit, mungesat në sistemin e adresave mund të ndikojnë në besueshmërinë e procesit.
Në pjesën për mediat, raporti vëren se hapësira mediatike është politikisht dhe etnikisht e fragmentuar, ndërsa rregullat për reklamat elektorale – që financohen nga buxheti i shtetit – favorizojnë partitë më të mëdha parlamentare dhe lënë në hije kandidatët e pavarur.
OSBE/ODIHR e përmbyll raportin duke theksuar se zgjedhjet e 19 tetorit do të jenë një test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike dhe për besimin e qytetarëve në proceset zgjedhore të vendit.PortaliX



