
Përgatitjet për sezonin e ardhshëm të ngrohjes qendrore janë në fazën përfundimtare. Kompania Enerxhi Ekolink dhe Shoqata Aksionare EMV për TVAlsat konfirmojnë se, nëse temperaturat bien dhe paraqitet nevoja, furnizimi me energji termike mund të nisë që nga data 1 tetor, edhe pse sezoni zyrtarisht fillon më 15 tetor.
“Faktikisht prej më 1 tetor ne duhet të jemi të gatshëm për të filluar, për shkak se moti është me temperatura të ulëta. Normalisht me iniciativën e KRRE-së, jemi të gatshëm të fillojmë edhe më herët, edhe pse aktualisht sezoni fillon më 15 tetor. Ne kemi mbushur rrjetin tonë dhe mbushjet e fundit po dërgojnë ujë edhe në objektet e kyçura”, deklaroi Gzime Shllaku, Drejtoreshë e Enerxhi Ekolink.
Nga EMV shtojnë se po finalizojnë përgatitjet e kapaciteteve prodhuese dhe të sistemit të shpërndarjes, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për të gjithë konsumatorët.
Sipas rregullave, sezoni i ngrohjes zgjat nga 15 tetori deri më 15 prill, por mund të nisë 15 ditë më herët dhe të përfundojë 15 ditë më vonë, në varësi të kushteve atmosferike.
Kompanitë apeluan qytetarët që të kyçen sa më shumë në sistemin e ngrohjes qendrore, duke theksuar se kjo është mënyra më e qëndrueshme dhe më ekonomike për ngrohje.Alsat



