
Kompania ajrore Wizz Air, me fluturimin e parë sot në orën 06:25 të mëngjesit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit drejt Shtutgartit, hapi një linjë dhe destinacion të ri ajror nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut drejt Gjermanisë, njoftoi TAV Maqedoni, degë e TAV Airports, pjesë e Grupit ADP.
Për detaje rreth disponueshmërisë së biletave dhe rezervimeve, si dhe për oraret e nisjes dhe mbërritjes, udhëtarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Wizz Air: wizzair.com.
“Me bashkëpunimin mes Wizz Air dhe Qeverisë, si TAV Airports jemi krenarë që do të mundësojmë shërbim për pasagjerët në këtë linjë të re ajrore të rregullt nga Shkupi në Shtutgart. Fluturimet e rregullta midis dy qyteteve do t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve tanë, biznesmenëve dhe diasporës. Do të vazhdojmë të investojmë në modernizim dhe përmirësim të shërbimeve aeroportuale, duke ofruar përvojë cilësore për të gjithë pasagjerët dhe duke e promovuar vendin si destinacion atraktiv dhe si qendër transiti në rajon,” deklaroi Nejçat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
Wizz Air do të fluturojë nga Shkupi në Shtutgart tre herë në javë: çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte. Gjatë orarit veror të fluturimeve (deri më 24 tetor), nisjet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit do të jenë:
- të hënën dhe të premten në orën 06:25, me mbërritje në Shtutgart në orën 11:10 (me orën lokale),
- të mërkurën në orën 06:30, me mbërritje po ashtu në 11:10 (me orën lokale).
Në sezonin dimëror, fluturimet do të vazhdojnë të zhvillohen në të njëjtat ditë (e hënë, e mërkurë dhe e premte), por me një orar pak më të ndryshuar: nisja në 06:30 dhe mbërritja në 11:30 (me orën lokale).
Me shtimin e Shtutgartit në hartën e destinacioneve të Aeroportit të Shkupit, Wizz Air tani ka gjithsej nëntë linja ajrore drejt nëntë qyteteve në Gjermani:
Shtutgart, Berlin, Dortmund, Baden-Baden, Friedrichshafen, Hamburg, Frankfurt-Hahn, Memmingen (afër Mynihut) dhe Nuremberg.
Shtutgarti është një nga qytetet e rralla që ofron diçka për çdo shije. Me këto fluturime të drejtpërdrejta, adhuruesit e industrisë së automobilave mund të vizitojnë nga afër selitë dhe muzetë e dy markave legjendare: Mercedes-Benz dhe Porsche – vende që tërheqin mijëra vizitorë çdo vit. Qyteti është gjithashtu i njohur për vreshtat që shtrihen deri në zemër të qytetit, si dhe për Festivalin e Verës, të njohur në të gjithë Gjermaninë. Po ashtu organizohet edhe Cannstatter Volksfest, festivali i dytë më i madh në Gjermani pas Oktoberfest-it.
Ndër atraksionet kulturore më të njohura janë opera e Shtutgartit, teatri shtetëror, si dhe shumë muze dhe galeri arti.
Ajo që e bën Shtutgartin të veçantë është “U-ja e Gjelbër” – një rrjet parkesh të ndërlidhura në formë të shkronjës U që kalojnë përmes qytetit dhe krijojnë një harmoni të rrallë midis arkitekturës urbane dhe natyrës.
Kjo linjë e re ajrore e rregullt Shkup – Shtutgart nuk është vetëm një lidhje gjeografike, por një urë midis familjeve, miqve, ideve, bizneseve dhe fillimeve të reja. Për diasporën maqedonase, fluturimet direkte me tri frekuenca në javë nënkuptojnë lidhje më të mira dhe më pak kilometra larg nga shtëpia, thuhet në njoftim.



