
Fushata 20-ditore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, që do të mbahen më 19 tetor (me raundin e dytë më 2 nëntor), nis sonte në mesnatë.
Këto do të jenë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit dhe të katërtat me zgjedhje të kryetarëve të komunave dhe listave të këshilltarëve në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në garë janë 309 kandidatë për kryetar komunash dhe 576 lista për këshilltarë, me gjithsej 10,490 kandidatë. Lista e votuesve, e përmbyllur të premten, përfshin 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, bëri të ditur se në listë janë të regjistruar edhe 112,000 votues që jetojnë përkohësisht jashtë vendit, 2,162 persona në burgje ose paraburgim dhe 450 votues nga azilet e pleqve.
Procesi i inspektimit të listës zgjati 20 ditë, gjatë së cilave qytetarët mund të kontrollonin të dhënat e tyre dhe të kërkonin korrigjime.
Në vend janë përcaktuar gjithsej 3,480 qendra votimi, ndërsa 132 prej tyre me më pak se dhjetë votues të regjistruar do të bashkohen me qendrat më të afërta të votimit.



