
Drejtoria e Doganave ka rritur ndjeshëm aktivitetet për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, theksoi drejtori Boban Nikollovski. Ai prezantoi rezultatet e muajve të fundit, duke vënë theks të veçantë mbi masat sistemike dhe bashkëpunimin e shtuar me institucionet e tjera.
Sipas tij, vetëm këtë vit janë ngritur 67 kallëzime penale kundër 38 personave juridikë dhe 148 individëve, të përfshirë në krime që lidhen me 181 automjete, me një dëm të drejtpërdrejtë për buxhetin shtetëror prej 16.5 milionë denarësh.
Gjithashtu, janë marrë 11 vendime për shkarkimin e nëpunësve doganorë, ndërsa që nga viti i kaluar janë zhvilluar gjithsej 76 procedura disiplinore. Dy prej shkarkimeve kanë ardhur me vendim gjykate.
Nikollovski nënvizoi se përveç kontrolleve të shtuara, është punuar edhe në rritjen e vetëdijes së punonjësve për të arritur më shumë efikasitet në parandalimin e korrupsionit. “Nevojitet vullnet i fortë dhe personel i ri që do të mësojë nga më të mirët në Drejtorinë e Doganave”, tha ai.
Në këtë drejtim, si provë e angazhimit, Drejtoria e Doganave është renditur e pesta nga gjithsej 72 institucione në raportin e fundit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, lidhur me zbatimin e politikave të integritetit.
Drejtori shtoi se përmes analizës së përmirësuar të riskut, janë forcuar kontrollet në kalimet kufitare, me synimin që të sigurohet një fluks i papenguar i pasagjerëve dhe mallrave, duke arritur në të njëjtën kohë rezultate më të mëdha në zbulimin e tentativave për krim.
Falë masave të ndërmarra, të ardhurat nga mbledhja doganore kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 65.5 milionë euro që nga gushti i këtij viti.



