LokalXLajme

Kushtetuesja shqyrton tre ankesa për uljen e numrit të këshilltarëve komunalë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka në rend dite shqyrtimin e iniciativave që lidhen me Vendimin e Qeverisë për përcaktimin e numrit të anëtarëve të këshillave të komunave, përkatësisht uljen e numrit të këshilltarëve në disa komuna.

Iniciativa e parë, e parashtruar nga Skender Rexhepi, argumenton se Qeveria e ka miratuar Vendimin pa pasur autorizim ligjor. Ai thekson se numri i anëtarëve të përcaktuar nuk është në përputhje me metodologjinë e nenit 34 të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Gjithashtu, në këtë iniciativë nënvizohet se Vendimi nuk përmban të dhëna mbi bazën e të cilave është bërë përcaktimi i numrit të këshilltarëve, gjë që krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me nenin 9 alineja 3 të Kushtetutës.

Iniciativa e dytë, e paraqitur nga Qenan Alia, vlerëson se Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me nenin 8 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me disa dispozita të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Sipas tij, pushteti ekzekutiv nuk ka kompetencë të përcaktojë numrin e këshilltarëve në kundërshtim me të dhënat zyrtare të siguruara nga Regjistrimi i popullsisë së vitit 2021.

Iniciativa e tretë është dorëzuar nga Blerim Bexheti dhe Sali Murad, përfaqësues të grupit parlamentar “Fronti Evropian”. Në të theksohet se me Vendimin e kontestuar shkelet neni 34 i Ligjit për vetëqeverisje lokale, pasi i jepet Qeverisë autorizim që nuk buron nga ligji për të përcaktuar numrin e anëtarëve të këshillave. Ata theksojnë se neni 36 paragrafi 3 i Ligjit për Qeverinë autorizon vetëm marrjen e vendimeve për zbatimin e ligjeve, por jo vendime të bazuara në metodologji të shfuqizuara. Si argument për këtë qëndrim, parashtrohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese U.nr.251/2025, me të cilin janë shfuqizuar pjesë të Metodologjisë për zbatimin e regjistrimit të popullsisë së vitit 2021. Sipas tyre, fakti që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ato pjesë të metodologjisë është me rëndësi themelore, sepse Vendimi aktual i Qeverisë është i mbështetur pikërisht mbi bazat metodologjike të shfuqizuara, përkatësisht mbi kategorinë “popullsia rezidente” të regjistrimit 2021.

Related Articles

Back to top button