
Pjesëtari i koalicionit qeverisës, Bilall Kasami, i pyetur nga gazetarët ka siguruar se uniformat e reja të Policisë do të jenë edhe në shqip.
“Jemi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ajo që mund të garantojmë, që edhe në këtë rast do të respektohet ligji, dhe aty ku uniformat në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe, sigurisht që do të jenë edhe në gjuhën shqipe”, tha Kasami.
Dilemat se uniformat policore do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase, nisën dje kur u kumtua se tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur tender, ku u bën thirrje kompanive të aplikojnë.
Në fotografinë bashkëngjitur thirrjes, uniformat shiheshin me mbishkrime vetëm në gjuhën maqedonase, ndërkaq në tenderin e hapur nuk specifikohej çështja e gjuhës.
PortaliX që dje kërkoi sqarim shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme për këtë çështje, por nga atje pa përgjigje.



