LokalXLajme

Radari i vetëm i kontollit të fluturimeve prishet, avionët në Shkup do të aterojnë një nga një

Është prishur radari i vetëm funksional i Kontrollit të Fluturimeve në Navigacionin Ajror të Maqedonisë (M-NAV) në Aeroportin e Shkupit, njoftoi portali SDK.mk. Kjo nënkupton se që nga mëngjesi i djeshëm, kontrollorët e fluturimeve nuk mund të shohin avionët në lartësi të ulët gjatë aterimit.

Nga dy radarët e vendosur në kullën e kontrollit dhe pranë saj, njëri prej tyre që ishte në funksion tashmë është prishur. Derisa të riparohet defekti, përkatësisht derisa të arrijë pjesa e porositur nga Italia, avionët do të ulen një nga një. Në rast se disa fluturime përkojnë në të njëjtën kohë, ato do të duhet të qarkullojnë mbi aeroport deri në uljen e atij që është në radhë.

Informacionin e ka konfirmuar edhe drejtori i M-NAV, Vladimir Risteski, duke theksuar se puna po vazhdon, por me ritëm më të ngadalësuar. “Ky është një defekt teknik me natyrë elektronike, siç ndodh në aviacion. Për situata të tilla ekzistojnë procedura të parashikuara për siguri, me qëllim që të vazhdojë ofrimi i shërbimeve ndaj kompanive ajrore edhe në rrethana të tilla”, tha Risteski. Ai siguroi se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e pasagjerëve, ndërsa ndryshimi i vetëm është kufizimi i numrit të avionëve që mund të shërbehen në një orë.

Risteski shtoi se defekti nuk ndikon në kontrollin e fluturimeve në lartësi të mëdha, pasi për atë nivel përdoren edhe radarët grekë dhe bullgarë.

Ndërkohë, kujtojmë se gjatë verës kontrollorët e fluturimeve paralajmëruan grevë për shkak të pajisjeve të amortizuara, duke vënë në dukje se jo vetëm radari, por edhe softueri dhe teknika tjetër janë në prag të prishjes. Pas garancive të menaxhmentit të ri se sistemi i ri do të instalohet, greva u shty. “Me Sindikatën u dakorduam që pajisjet e reja të instalohen gjatë periudhës së dimrit, kur trafiku është dukshëm më i ulët. Bëhet fjalë për një operacion të ndërlikuar, ndërsa edhe furnizuesi italian vonoi me dorëzim”, tha Risteski.

Derisa të arrihet zgjidhja teknike, aeroporti i Shkupit do të funksionojë me kapacitete të reduktuara, por autoritetet garantojnë se siguria e udhëtarëve nuk vihet në rrezik.

Related Articles

Back to top button