
Britania e Madhe sot do ta njohë shtetin palestinez.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, në korrik njoftoi se Britania e Madhe do ta njohë Palestinën në shtator, nëse situata në Gaza nuk përmirësohet.
BBC raportoi se Starmer dhe ministrat e kabinetit të tij kanë përfunduar se situata në terren është përkeqësuar gjatë javëve të fundit dhe se do ta shpallin njohjen e Palestinës të dielën pasdite.
Mes ofensivën aktuale ushtarake dhe krizën humanitare në Gaza, ku mbizotërojnë dëshpërimi dhe uria, qeveria britanike është alarmuar edhe nga planet për përshpejtimin e ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, gjë që mund të shkatërrojë çdo shpresë për një zgjidhje me dy shtete.
Njohja e Palestinës përbën një kthesë të madhe në politikën e jashtme britanike, pasi disa qeveri të mëparshme kishin theksuar se njohja duhet të vijë si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje.
Ministrat aktualë britanikë thonë se kanë një përgjegjësi morale për të vepruar, në mënyrë që të mbajnë gjallë shpresat për një marrëveshje paqeje afatgjatë.
Njohja e paralajmëruar është kritikuar nga politikanë të lartë amerikanë, të cilët kanë paralajmëruar se kjo do ta forcojë Hamasin dhe do të rrezikojë sigurinë e Izraelit.
Liderët republikanë në Kongres, përfshirë kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Elise Stefanik dhe senatorin Rick Scott, i dërguan një letër Britanisë së Madhe, Francës, Kanadasë, Australisë dhe vendeve të tjera kyçe që shpallën njohjen e Palestinës.
“Ky është një veprim i pamenduar që minon perspektivat për paqe”, shkruan Stefanik dhe Scott. “Ai vendos një precedent të rrezikshëm se dhuna, e jo diplomacia, është mjeti më efektiv që grupet terroriste si Hamasi të arrijnë objektivat e tyre politike”, shtuan ata.
Gjatë vizitës së tij shtetërore në Britaninë e Madhe, presidenti amerikan Donald Trump tha se “nuk pajtohet me kryeministrin” për njohjen e Palestinës.
Një grup familjesh të pengjeve të marra gjatë sulmit të 7 tetorit paralajmëruan se njohja mund t’i pengojë përpjekjet për lirimin e tyre.
Në një letër të hapur drejtuar Starmer-it, ata shkruan: “Njoftimi juaj i trishtë për synimin e Britanisë së Madhe për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e komplikon ndjeshëm përpjekjen për të kthyer të dashurit tanë në shtëpi. Hamasi tashmë e ka përshëndetur këtë vendim si fitore dhe ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Ju shkruajmë me një lutje të thjeshtë – mos e ndërmerrni këtë hap pa qenë më parë të dashurit tanë të lirë dhe në duart tona”, thuhet në letër.
Vendimi i Starmer-it u kritikua gjithashtu nga konservatorët opozitarë britanikë dhe nga lideri i Partisë Reformuese, Nigel Farage.



