
Tre avionë luftarakë rusë MIG-31 hynë sot pa leje në hapësirën ajrore të Estonisë në zonën e ishullit Vindlo dhe qëndruan aty për gati 12 minuta, raportoi portali estonez “Err.ee”.
Sipas raportimeve, avionët nuk kishin plan fluturimi dhe transponderët e tyre ishin të fikur. Në momentin e shkeljes, ata nuk kishin as komunikim radio dykahësh me shërbimet estoneze të trafikut ajror.
Ministria e Punëve të Jashtme e Estonisë thirri ushtruesin e detyrës së ambasadorit të Federatës Ruse në Talin për t’i shprehur protestë dhe për t’i dorëzuar një notë lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore të vendit.
“Rusia këtë vit e ka shkelur katër herë hapësirën ajrore të Estonisë, gjë që është e papranueshme në vetvete, por shkelja e sotme, gjatë së cilës tre avionë luftarakë hynë në hapësirën tonë ajrore, është jashtëzakonisht brutale”, deklaroi ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsakna.
Ai shtoi se “rritja e provokimeve kufitare dhe agresioni i Rusisë duhet të përballen me presion politik dhe ekonomik gjithnjë e më të madh”.
Më herët këtë muaj, Estonia kishte kërkuar gjithashtu një takim me ushtruesin e detyrës së ambasadorit rus në Talin për të shprehur protestë, pasi një helikopter rus MI-8 kishte shkelur hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vindlo.



