LokalXLajme

Për herë të parë zbatohet metoda gjatë trajtimit kirurgjik të aneurizmave në tru

Në Klinikën Universitare për Neurokirurgji është kryer një ndërhyrje komplekse mikro-kirurgjikale tek një pacient 57-vjeçar me aneurizëm të çarë në një arterie të trurit.

“Bëhet fjalë për një operacion që për herë të parë në Maqedoni është realizuar me përdorimin e videoangiografisë fluorescente intraoperative. Kjo risi është një hap i rëndësishëm përpara në modernizimin e sistemit shëndetësor në RMV. Përdorimi i kësaj metode rrit sigurinë e pacientëve dhe përmirëson efikasitetin e ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Kjo metodë inovative përfaqëson një teknikë të avancuar që mundëson vizualizimin e rrjedhës së gjakut në kohë reale gjatë operacionit.

“Me përdorimin e një substance kontrasti, kirurgët mund të vlerësojnë saktësisht kalueshmërinë e enëve të gjakut dhe të konfirmojnë izolimin e plotë të aneurizmës, gjë që është vendimtare për suksesin e operacionit”, shpjegon specialisti neurokirurg dhe udhëheqës i ekipit dr. Blagoj Shuntov.

Ndryshe, ekipi kirurgjik përbëhej nga dr. Blagoj Shuntov, asistentët dr. Mirko Mishel Mirçevski, dr. Vllatko Atanasov, ekipi anesteziologjik dr. Sanja Gjurçeska, dr. Radmilla Pangovska, infermieret Irena Stojanova, Gordana Mickovska dhe Daniela Delova, infermieret instrumentare Maja Spirovska dhe Natasha Mirçevska.

Operacioni u realizua pa komplikime, dhe pacienti po rikuperohet pa vështirësi. Përdorimi i kësaj teknike të avancuar paraqet një përparim të madh në trajtimin e pacientëve neurokirurgjikë, si dhe konfirmon përkushtimin e Klinikës për Neurokirurgji në zbatimin e teknologjive më të reja mjekësore.
Kjo risi përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në modernizimin e shëndetësisë në RMV dhe konfirmon angazhimin e institucioneve shëndetësore në aplikimin e teknologjive më bashkëkohore në praktikën mjekësore.

Related Articles

Back to top button