LokalXLajme

Prokuroria heton katër persona dhe një kompani për zjarrin në Trubarevë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur hetim ndaj katër personave dhe një subjekti juridik për veprën penale rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sipas nenit 230 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari kryesor, edhe pse nuk figuron zyrtarisht si menaxher i kompanisë ku magazinohej në mënyrë të paligjshme mbeturina, në praktikë e ka udhëhequr biznesin dhe ka organizuar punën. Në hetim janë përfshirë edhe vajza e tij, e cila ka qenë formalisht udhëheqëse, si dhe dy persona të tjerë që kanë ndihmuar në magazinimin dhe përpunimin e mbetjeve elektronike e elektrike, baterive dhe tonerve të cilësuara si mbetje të rrezikshme.

“Mbetjet ishin grumbulluar në një parcelë në Trubarevë, duke shkaktuar ndotje të tokës dhe ajrit, si dhe rrezik për shëndetin e qytetarëve. Situata u përkeqësua më 13 shtator, kur objekti me mbeturina të paligjshme u përfshi nga flakët. Zjarri i madh çliroi sasi të mëdha gazi, tymi dhe hiri në ajër, ndërsa matjet konfirmuan ndotje të lartë”, thanë nga Prokuroria.

Për shkak të rrezikut, Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin kryesor, ndërsa për tre të tjerët është propozuar arrest shtëpiak. Hetimet po vazhdojnë edhe ndaj personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Related Articles

Back to top button