
Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor në Maqedoninë e Veriut do të ndiqen nga një mision i gjerë vëzhguesish të OSBE-ODIHR. Sipas njoftimit, në terren do të jenë të angazhuar 274 vëzhgues, prej të cilëve 24 afatgjatë dhe 250 afatshkurtër.
Kryetari i Entit Shtetëror për Revizion, Maksim Acevski, sot zhvilloi një takim me shefin e misionit të OSBE-ODIHR, Matteo Mekaçi, ku temë diskutimi ishte edhe financimi i partive politike gjatë fushatave zgjedhore.
Në raportin e fundit përfundimtar për zgjedhjet presidenciale dhe të parakohshme parlamentare të vitit 2024, OSBE-ODIHR kishte konstatuar se kuadri ligjor ofron bazë për zgjedhje demokratike, por se ende mungojnë rregullime të mjaftueshme, veçanërisht për garën presidenciale. Në të njëjtin raport, i publikuar më 23 shtator, Maqedonisë së Veriut iu dhanë 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor dhe përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale nis më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor. Më 19 tetor, qytetarët do të votojnë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, në gjithsej 3.480 vendvotime. Në rast të balotazhit, raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.



