LokalXLajme

Opozita kërkon dorëheqje prej ministrave të shëndetësisë, punëve të brendshme dhe ekologjisë për shkak të Trubarevës

Opozita ia faturon qeverisë situatën e pasigurtë ekologjike në kryeqytet. Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se kryeministri Mickoski gjithmonë fajëson të tjerët kur ndodhet përballë situatave pa zgjidhje, dhe kërkon dorëheqjen e ministrave Aliu dhe Toshkovski.

“Nëse realisht kishte kërcënime ose sulme hibride, Këshilli i Sigurisë duhej të mblidhej, ushtria të dilte në terren, ministri i Mbrojtjes të ishte aktiv, të aktivizoheshin të gjitha shërbimet e sigurisë dhe të njoftohej NATO. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Kryeministri e bëri situatën një dramë PR-i. Ministri i Shëndetësisë duhet të japë dorëheqje sepse gënjeu qytetarët duke thënë se ajri nuk është i ndotur. Ministri i Brendshëm duhet të përgjigjet për urdhrin e evakuimit, kur askush nuk u paraqit në qendrën e kujdesit”, deklaroi Filipçe.

Nga VMRO-DPMNE u kundërsulën, duke e akuzuar Filipçen për mungesë kredibiliteti dhe duke i kujtuar tragjedinë në spitalin modular.

Opozita shqiptare përqendrohet te ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti, dhe kërkon dorëheqjen e tij.

“Në momentet kur Shkupi u mbulua nga re toksike me erë plastike, goma e bateri të djegura, qytetarët prisnin informata dhe rekomandime për mbrojtje. Por Mexhiti nuk doli në publik, nuk mori masa dhe nuk ofroi zgjidhje. Më e rëndësishme për të ishte të shfaqej në aktivitete partiake. Ministria që ai udhëheq jep leje dhe ka obligim të kontrollojë këto objekte, por ai fshihet pas justifikimeve dhe tenton të shpikë fajtorë të tjerë”, thonë nga BDI.

VLEN akuzon se përgjegjësi për lejen e deponisë në Trubarevë ka ish-ministri i BDI-së, Naser Nuredini.

“BDI po përpiqet t’ua kalojë përgjegjësinë të tjerëve, por qytetarët e dinë se kjo parti është fajtorja kryesore për katastrofën ekologjike që po përjeton Shkupi. Ish-ministri Naser Nuredini dha lejen për funksionimin e deponisë në Trubarevë, menjëherë pranë qytetit”, njoftojnë nga VLEN.

Opozita kërkon që pushteti të kontrollojë të gjitha deponitë, të zbulojë ato pa licencë dhe të parandalojë situata të ngjashme në të ardhmen.

Related Articles

Back to top button