
Tetëmbëdhjetë kandidatë do të hyjnë në garën për kryetar të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale nëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) konfirmon listat e tyre të kandidatëve.
Afati për dorëzimin e kandidaturave skadoi më 13 shtator në mesnatë. KSHZ njoftoi se deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshillave të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit, deri te komisionet zgjedhore komunale janë dorëzuar gjithsej 312 lista të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe 575 lista të kandidatëve për këshilltarë të komunave dhe Qytetit të Shkupit. Ky numër përfshin listat e kandidatëve nga partitë politike dhe listat e dorëzuara nga grupe votuesish.
Numri më i madh i listave të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshillave u dorëzua për Qytetin e Shkupit, përkatësisht gjithsej 18 lista kandidatësh për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 20 lista kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
“Sipas Librit të afateve për Zgjedhjet lokale të vitit 2025, KKZ-ja paraqet kërkesë deri te institucionet që posedojnë të dhëna për përmbushjen e kushteve menjëherë pas marrjes së listës, gjegjësisht më së voni deri më 14 shtator. Pasi të përfundojë verifikimi i përmbushjes së kushteve dhe procesi i eliminimit të çdo parregullsie ose lëshimi në listat e kandidatëve, komisionet komunale zgjedhore i dorëzojnë listat e konfirmuara në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për përcaktimin e renditjes në listën e vetme të kandidatëve, menjëherë pas konfirmimit të listës, gjegjësisht më së voni deri më 20 shtator 2025”, shpjegojnë nga KSHZ-ja.
Pas përfundimit të procesit të kontrollit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe konfirmimit nga KKZ-ja, KSHZ-ja do të publikojë të gjitha listat e konfirmuara sipas komunave që do të marrin pjesë në zgjedhje.
Shortin për përcaktimin e listls së vetme të kandidatëve, KSHZ-ja do të mbajë më së voni deir më 25 shtator.
Raundi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor 2025, ndërsa i dyti dy javë më vonë, më 2 nëntor.
Fushata zgjedhore do të fillojë zyrtarisht 20 ditë para ditës së votimit.



