
Shqipëria po vazhdon me hapa të shpejtë procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut vijon të mbetet e bllokuar. Kryeministri Edi Rama njoftoi se javën e ardhshme vendi do të hapë katër kapituj të rinj në negociatat për anëtarësim.
“Të martën, datë 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-së na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim, të cilët u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj – një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash. Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qendrueshme, mbi fusha të rëndësisë jetike, si Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi, janë tanimë në tryezë. U vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE,” shkroi Rama në një status.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, e cila filloi procesin negociues njëkohësisht me Shqipërinë, nuk ka bërë përparim dhe mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe kushteve të paplotësuara për ndryshimet kushtetuese.



