LokalXLajme

Vlen edhe për Maqedoninë, çfarë paraqet sistemi i ri për hyrje në BE?

Qytetarët e Maqedonisë nga data 12 tetor, gjatë hyrjes në zonën Shengen të Bashkimit Evropian, do të duhet të lënë të dhëna biometrike – gjurmë gishti dhe fotografi, sipas sistemit të ri të hyrje-daljes së BE-së.

Sistemi i hyrje-daljes në BE, siç u theksua në një brifing në Delegacionin e BE-së në vend, do të fillojë të zbatohet gradualisht nga 12 tetori dhe do të zgjasë gjashtë muaj, pas së cilës do të zbatohet në të gjitha pikat hyrëse në zonën Shengen.

Sistemi parashikon që fëmijët deri në moshën 12-vjeçare nuk do të kenë nevojë të lënë të dhëna biometrike.

Rregullat e reja për hyrje në BE ishin paralajmëruar prej kohësh dhe paraqesin një sistem automatik për të mbështetur qarkullimin dhe kontrollin e të gjitha hyrje-daljeve me dhe pa vizë në zonën Shengen të BE-së.

– Regjistrohet çdo hyrje, dalje dhe çdo mundësi e moslejimit të hyrjes. Ka dy qëllime kryesore. I pari është forcimi i sigurisë kufitare – duam të dimë kush hyn dhe kush është në zonën Shengen, si dhe të identifikohen njerëzit që hyjnë për të zvogëluar mashtrimet me identitet, por edhe për të reduktuar abuzimet me tejkalimin e lejes 90-ditore të qëndrimit. I dyti është efikasiteti dhe shpejtësia. Pasi të jetë zbatuar plotësisht, pritet që hyrja në BE të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë – u theksua në brifingun e Delegacionit të BE-së në vend.

Zbatimi i sistemit është parashikuar të zhvillohet në katër faza dhe secili shtet i zonës Shengen do të ketë dinamikën e vet të implementimit, por në përgjithësi: në fazën e parë – 30 ditë nga fillimi i zbatimit, 10 për qind e të gjithë udhëtarëve që hyjnë në zonën Shengen të BE-së do të jenë sipas sistemit të ri; faza e dytë parashikon përfshirjen e 35 për qind të udhëtarëve në 90 ditët e para të zbatimit; faza e tretë është që deri në ditën e 150-të të jenë të përfshirë gjysma e udhëtarëve; dhe faza e katërt është që nga dita e 170-të të jenë të përfshirë të gjithë udhëtarët në zonën Shengen.

Më shumë informacione për Sistemin e hyrje-daljes në BE mund të gjenden në faqen zyrtare të BE-së – travel-europe.europa.eu/ees.

Në brifing u theksua veçanërisht se sistemi ETIAS, i cili do të fillojë të zbatohet nga gjysma e dytë e vitit 2026, është krejtësisht i ndryshëm nga Sistemi i hyrje-daljes në BE. Pasi të hyjë në zbatim, çdo person që udhëton në zonën Shengen pa vizë do të duhet së pari të regjistrohet online dhe të paraqesë udhëtimin e tij.

Regjistrimi, sipas njoftimeve, do të kushtojë 20 euro dhe do të vlejë tre vjet, përveç për ata nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç.

Të dy sistemet janë komplementare me njëri-tjetrin dhe do të vazhdojnë të funksionojnë paralelisht.

Related Articles

Back to top button