
Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron se qytetarët e Maqedonisë do të informohen në kohë për rregullat e reja të udhëtimit në Bashkimin Evropian, të cilat do të hyjnë në fuqi më 12 tetor 2025. Qëllimi është të shmangen pritjet dhe vonesat në pikat kufitare.
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, njoftoi se qytetarët do të duhet të plotësojnë aplikacione online sipas rregullave aktuale të BE-së. Ai shtoi se bashkëpunimi me partnerët evropianë është i vazhdueshëm, me qëllim që procedura të jetë e lehtë dhe e qasshme. “Aplikacioni do të bëhet online, do të zgjasë pak minuta dhe do të jetë i vlefshëm për dy vite. Sapo të kemi informacion zyrtar nga BE-ja, do t’ua bëjmë të ditur qytetarëve,” deklaroi Janev.
Sistemi i ri i hyrje/daljes EES do të nisë më 12 tetor dhe zbatimi i tij do të shtrihet gradualisht për gjashtë muaj në 29 vende evropiane, përfshirë 25 shtete të Zonës Shengen, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Fillimisht nuk do të kërkohen veprime nga udhëtarët përmes sistemit ETIAS, ndërsa data e nisjes së tij do të komunikohet nga Bashkimi Evropian disa muaj më parë. Zbatimi i plotë i sistemit do të fillojë më 10 prill 2026, kur do të nisë edhe regjistrimi elektronik i ditëve të qëndrimit.



