LokalXLajme

Osmani: Çairi është lënë në errësirë, do të sjellim ndriçim modern dhe siguri për qytetarët

Ndriçimi publik, sipas Bujar Osmanit, është një nga elementet bazë për sigurinë dhe jetën e dinjitoze të qytetarëve, por gjendja aktuale në Komunën e Çairit paraqitet alarmante.

“Rrugë të tëra, parqe e hapësira publike janë zhytur në terr. Nga Bit Pazari dhe rruga Xhon Kenedi, deri në Topanë, Çarshinë e Vjetër dhe Seravë, qytetarët lëvizin çdo mbrëmje në kushte pasigurie,” u shpreh Osmani.

Ai theksoi se kjo gjendje nuk është vetëm një problem teknik, por edhe një tregues i moskujdesit të pushtetit lokal ndër vite. Sipas tij, mbi 40% e pajisjeve ekzistuese nuk funksionojnë, ndriçimi bazohet në teknologji të vjetëruar prej dy dekadash dhe prokurimet publike janë kryer pa transparencë e vizion. “Shkollat, fushat sportive dhe hapësirat publike mbeten në hije, duke rrezikuar fëmijët, gratë dhe të moshuarit,” shtoi ai.

Osmani prezantoi edhe planin e tij për ndryshim: zëvendësimin e plotë të infrastrukturës së vjetër me ndriçim LED, që sipas tij do të ulë shpenzimet e energjisë për mbi 60%. Ai premtoi mbulim të plotë të hapësirave publike, me prioritet në oborret e shkollave, tregje, parqe e kalime këmbësorësh, si dhe instalimin e një sistemi modern për menaxhim në distancë dhe detektim të shpejtë të defekteve.

“Të gjitha prokurimet do të jenë transparente, ndërsa qytetarët do të mund të raportojnë problemet përmes aplikacionit mobil dhe linjës telefonike, me reagim brenda 48 orëve,” paralajmëroi ai.

“Është koha ta nxjerrim Çairin nga errësira. Do të ndërtojmë një sistem që nuk është vetëm ndriçim, por edhe simbol i sigurisë dhe i një fillimi të ri,” përfundoi Osmani./PortaliX

Related Articles

Back to top button