
Enti Shtetëror i Statistikës ka publikuar të dhëna të reja mbi tregun e punës në Maqedoninë e Veriut, të cilat tregojnë një kontrast mes sektorëve ekonomikë.
Sipas këtyre të dhënave, shkalla e vendeve të lira të punës në tremujorin e dytë të vitit 2025 arrin 2.08%, me gjithsej 2008 vende të lira në profesionet e shërbimeve dhe shitjes. Rajoni me shkallën më të lartë është Juglindori me 2.54%, ndërsa sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor shënon nivelin më të madh të vendeve të lira, 3.77%. Përkundrazi, administrata publike dhe sigurimi social kanë shkallën më të ulët – vetëm 0.36%.
Nga ana tjetër, numri i punëtorëve në industri është ulur ndjeshëm. Vetëm në korrik 2025 ka pasur një rënie prej 3.8% krahasuar me korrikun e vitit 2024. Sektorët më të goditur janë industria përpunuese (-4.0%) dhe minierat e gurorët (-2.4%), ndërsa rënie ka edhe në furnizimin me energji elektrike dhe gaz (-0.5%). Në periudhën janar–korrik 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ulja arrin në 4.0%.
Sipas grupeve industriale, më të prekura janë prodhimet kapitale me një rënie prej 8.8%, ndërsa rritje është regjistruar te prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë (+9.6%) dhe produktet intermediare pa energji (+0.3%)./PortaliX



