
Banorët e Sfillares së Poshtme të cilët janë takuar me kandidatin për kryetar të Sarajit Muhamed Elmazi, kanë kërkuar që në listën e prioriteteve të vendosen rezervuari i ujit si dhe stadiumi për të rinjtë. Gjatë bisedave, banorët janë shprehur të zhgënjyer nga premtimet e deritanishme boshe.
“Problemi i mungesës së ujit është se rezervuari nuk punon tashmë 15 vite. Rezervuari është bërë me vet kontributin e banorëve. Rrjeti është super por mungon funksionaliteti i rezervuarit”, deklaroi një banor.
“Kemi një stadium në Sfillaren e Poshtme. Gati çdo cikël është përmend se do ta rregullojnë. Elhamdulilah kemi shumë rini këtu dhe kisha pas dëshirë, vullnet, që ta keni prioritet gjatë mandatit që do ta mirrni. Besoj fuqishëm që mandati do të jetë i juaji, bashkërisht edhe i joni. Ta keni si pikë të parë në planprogramin e ardhshëm”, deklaroi një banor tjetër.
Kandidati për kryetar Elmazi premtoi zgjidhje për problemet dhe kërkoi mbështetje në ditën e zgjedhjeve.
“Unë besoj se si ju shoh sonte të bashkuar, edhe në tetor do të jemi të bashkuar dhe fitorja nuk do të na mungon”, deklaroi Elmazi.



