
Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim me artistët dhe krijuesit e rinj, të cilët, siç theksoi, “i japin shpirt qytetit tonë përmes punës dhe krijimtarisë së tyre”. Në këtë bisedë të hapur, secili prej artistëve solli realitetin me të cilin përballet çdo ditë.
“I dëgjova me vëmendje, sepse zëri i tyre ka peshë dhe, përmes artit, ata flasin jo vetëm për veten, por për të gjithë ne,” deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, kërkesa e artistëve është e qartë: arti të mos mbetet në margjina, por të marrë vendin që i takon. Kjo nënkupton kushte më të mira pune, hapësira më të mëdha për krijimtari dhe mbështetje institucionale për zhvillimin e tyre.
“Artistët nuk duhet të gjenden para mungesave që i detyrojnë të kërkojnë rrugë të tjera. Prandaj, unë jam i vendosur që ky zë të shndërrohet në veprim dhe mbështetje,” tha Mexhiti.
Ai theksoi se përkrahja e komunitetit të artistëve do të jetë një ndër prioritetet kryesore të tij si kryetar i ardhshëm i Çairit.
“Sepse besoj se një shoqëri që investon në art dhe tek artistët e saj është një shoqëri që e hap të ardhmen. Arti na bën më të ndjeshëm, më të hapur dhe më të bashkuar. Prandaj, mbështetja për komunitetin e artistëve do të mbetet një prej prioriteteve tona, të cilin do ta çoj përpara me përkushtim,” përfundoi Mexhiti.



