
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, takoi sot të rinjtë e komunës, ku prezantoi vizionin e tij për projektin “Çairi i Ri”. Në qendër të planit, ai vendosi fuqizimin financiar dhe vendimmarrës të të rinjve, duke theksuar se mbi 43% e popullsisë së komunës është nën moshën 30 vjeç.
“Nuk mund të dizajnoni një vizion për ‘Çairin e Ri’ pa përfshirë ata që përbëjnë 50% të popullsisë së Çairit. Ky është forca jonë më e madhe dhe kapitali ynë më i çmuar,” tha Osmani.
Ai prezantoi projektin për ndërtimin e një qendre multifunksionale në sheshin “Skënderbej”, që do të përfshijë tre shtylla kryesore:
- Laboratori digjital dhe inovativ – “një hapësirë ku të rinjtë do të mund t’i shfaqin aftësitë e tyre kreative përmes konceptit ‘bëje vetë’… një qendër e gjallë për ide dhe inovacione, ku talenti i të rinjve do të kthehet në zgjidhje konkrete për Çairin.”
- Biblioteka moderne – “Komuna do të digjitalizojë të gjitha librat e nevojshëm përmes sistemeve open source, në mënyrë që çdo i ri nga telefoni i tij të ketë qasje në literaturën që i nevojitet… një bibliotekë e tërë në xhep.”
- Qendra kulturore – “Kjo qendër do të jetë shtëpia e kreativitetit në Çair… jeta kulturore e Çairit do të ketë një skenë që reflekton energjinë rinore dhe talentin e tij.”
Sipas Osmanit, kompleksi do të jetë “zemra e vizionit për ‘Çairin e Ri’ dhe simbol i rilindjes urbane të komunës.”
Përveç kësaj, kandidati premtoi:
- Bursa komunale për studentët më të mirë;
- Fondi i inovacionit, që do të financojë çdo vit idetë më premtuese të të rinjve;
- Mbështetje për projekte me inteligjencë artificiale, të cilat lehtësojnë shërbimet e komunës dhe jetën e qytetarëve.
Ai njoftoi gjithashtu se do të krijohet Këshilli Rinor i Çairit, i cili do të vendosë mbi 5% të buxhetit të komunës, si dhe programi “Talentët e Çairit”, që do të mundësojë punësimin e studentëve më të mirë në administratën komunale.
Plani i Osmanit përfshin edhe përmirësimin e hapësirave publike: parqe të rinovuara, internet falas, kurse në programim dhe aftësi digjitale.
“Çairin duam ta shndërrojmë në qendër të teknologjisë. Nëse gjysma e popullsisë janë të rinj, atëherë duhet ta shfrytëzojmë këtë kapital dhe të krijojmë komunën e së ardhmes,” përfundoi Osmani.



