
Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një dalje publike para mediave, prezantoi një projekt të ri që ka për qëllim gjallërimin e Çarshisë së vjetër të Shkupit dhe tërheqjen e vizitorëve. Do të vihet në funksion një parking për bizneset dhe vizitorët.
“Po nisim një projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin e Çarshisë. Fillojmë pastrimin dhe rregullimin e parkingut nëntokësor me kapacitet për 60 vetura, i cili gjendet në Qendrën Konservatore pranë Muzeut të Maqedonisë. Njëkohësisht, do të pastrojmë dhe rregullojmë edhe hapësirën e hapur për parkim, që gjithashtu do të ketë kapacitet për 60 vetura. Brenda 10 ditëve parkingu do të jetë funksional dhe në shërbim të vizitorëve, esnafëve të Çarshisë, si dhe punëtorëve të dy institucioneve – Muzeut të Maqedonisë dhe Qendrës Konservatore”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se ky është vetëm një nga hapat për ta bërë Çarshinë më të qasshme dhe më atraktive për turistët e huaj dhe vendas. “Me këtë hap, sot synojmë të gjallërojmë Çarshinë, të përmirësojmë qasjen dhe të tërheqim më shumë turistë dhe vizitorë”, shtoi ai.
Ky projekt paraqitet si pjesë e programit të Mexhitit në fushatën për Komunën e Çairit, ku ai premton investime konkrete për zhvillimin urban dhe kulturor të zonës.



