XLajme

Osmani prezanton planin për efikasitet dhe luftë kundër korrupsionit në Çair

Në një takim me organizatat qytetare, kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, prezantoi vizionin e tij për një komunë më transparente, më efikase dhe të mbrojtur nga korrupsioni. Ai tha se për këtë qëllim ka propozuar tre sete mekanizmash të cilat, sipas tij, do ta transformojnë mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal.

“Çairi 48” – qytetari si mbrojtës i interesit publik
Osmani sqaroi se mekanizmi i parë, i quajtur “Çairi 48”, ka për qëllim vendosjen e komunikimit të shpejtë dhe efikas me qytetarët. Ai paralajmëroi publikimin e një tabloje ditore me afatet e punëve të komunës, duke garantuar se çdo kërkesë ose pyetje e qytetarëve do të marrë përgjigje brenda 48 orëve. “Kjo i jep fund ankesës së përhapur se ‘komuna nuk punon asgjë’. Për këtë do të formohen edhe ekipe për intervenime të shpejta”, tha Osmani.

Transparencë totale në tenderë dhe përfshirja e inteligjencës artificiale
Mekanizmi i dytë lidhet me luftën kundër korrupsionit, një problem që, sipas Osmanit, ka degraduar Çairin për vite me radhë. Ai premtoi që prokurimet publike dhe tenderët do të zhvillohen me transparencë të plotë dhe me transmetim LIVE, në mënyrë që qytetarët dhe OJQ-të të ndjekin çdo hap të procedurës. “Do të krijohet një platformë online ku publikohet çdo shpenzim – kush e ka dhënë, për çfarë është dhënë dhe kush është përfituesi. Për të eliminuar ndikimin e faktorit njeri, do të inkuadrohet edhe inteligjenca artificiale në vlerësimin e kritereve, ashtu siç bëhet në vendet evropiane”, theksoi Osmani.

“Roja e ndërtimit” – kontroll urbanistik në kohë reale
Seti i tretë i mekanizmave, të cilin Osmani e quajti “Roja e ndërtimit”, ka për qëllim të vendosë rend në fushën e urbanizmit. Ai paralajmëroi vendosjen e një “skaneri urbanistik” që do t’i mundësojë qytetarëve të shohin në kohë reale se çfarë ndërtohet në komunë, kush është investitori dhe a ka leje ndërtimi. “Në çdo kantier do të vendosim një poster me QR Code që qytetarët mund ta skanojnë me telefon dhe të marrin të gjitha informacionet. Do të hapim edhe një linjë anonime për raportimin e parregullsive dhe ndërtimit pa leje, ku komuna do të reagojë menjëherë me ekipe të shpejta. Po ashtu, do të bëjmë një revizion të plotë të të gjitha procedurave të ndërtimit”, shpjegoi Osmani.

Në përmbyllje, ai u shpreh i bindur se “pas 19 tetorit, Çairi do të funksionojë ndryshe – me efikasitet, transparencë, pa korrupsion dhe me rend. Këto masa revolucionare do të jenë model edhe për komunat e tjera.”

 

 

 

 

Related Articles

Back to top button