
Kandidati për komunën e Çairit, Bujar Osmani e ka cilësuar komunën e Çairit si një “xhungël betoni pa rend dhe pa plan”, e cila sipas tij është e mbështetur nga pushteti lokal. Për ta ndryshuar gjendjen, ai propozon mekanizëm për luftimin e ndërtimeve pa leje, dhe linjë denoncimi për qytetarët të quajtur “Roja e Ndërtimit”.
Mekanizmi “Roja e Ndërtimit” është një koncept i ndërtuar nga pesë instrumente të drejtuara drejt parandalimit dhe mbikëqyrjes transparente të proceseve të ndërtimit:
1. Skaneri Urbanistik: Një hartë publike interaktive në kohë reale, e cila do të paraqesë të gjitha informacionet për ndërtimet në Çair. “Do të shihet nëse ndërtimi ka leje, nëse ka raportim për paligjshmëri, në cilin status ndodhet procedura, legalizim, rrënim apo ankesë”, shpjegoi Osmani.
2. Raportim anonim për ndërtimet e dyshimta: Çdo qytetar do të ketë mundësinë të raportojë në mënyrë anonime një ndërtim të paligjshëm ose të dyshimtë. “Qytetarët marrin një mjet në duar, ndërsa institucionet përballen me një mbikëqyrje publike që nuk mund ta shpërfillin më”, tha ai.
3. Tabela publike me kod QR në çdo kantier ndërtimi: Çdo objekt në ndërtim do të ketë detyrim të vendosë një poster informativ me kod QR, që do të mundësojë qasje në të dhëna për investitorin, lejen, mbikëqyrësin dhe afatin e ndërtimit. “Ky është kontroll publik në praktikë dhe fundi i lejeve të rreme, manipulimeve dhe dokumenteve të fabrikuara”, deklaroi Osmani.
4. Linja e kuqe për raportim të parregullsive dhe korrupsionit: Përmes telefonit, formularit online ose kanaleve Viber/WhatsApp, qytetarët do të mund të raportojnë presione, parregullsi ose praktika korruptive. Raportimet do t’i përcillen automatikisht ekipit antikorrupsion, inspektoratit komunal dhe do të publikohen në një buletin mujor transparence.
5. Auditim i plotë i të gjitha procedurave të ndërtimit.
Osmani paralajmëroi se nga dita e parë do të kryhet një analizë e hollësishme e të gjitha ndërtimeve ekzistuese, lejeve dhe objekteve në proces. “Nuk do të lejoj askënd më të abuzojë me ligjin. Do të përcaktohet kush dhe si e ka lejuar ndërtimin”, theksoi ai.



