
Kandidati i VLEN për kryetar të Çairit Izet Mexhiti ka dale me propozim për një parking të organizuar në Çarshinë e Vjetër që sipas tij, do të ndihmonte zhvillimin e mëtejmë të këtij burimi kryesor të ekonomisë së Çairit. Duke thurrur planin për reformat urbanistike me arkitektin e njohur Bajram Vardar, Mexhiti kujton se ky vend duhet të vazhdojë me punë intensive të cilën do ta lehtësojë një organizim i mirë për parkim të qytetarëve.
“Ekonomia kryesore e Çairit është Çarshia e Vjetër. Është Çarshia më e madhe në Ballkan. 700 dyqane, shumë më e madhe se Çarshia e Sarajevës. Kur kam ardhur në vitin 2005, ka qenë e frikshme të kalosh pas orës 5, ndërsa tani edhe në 12 të natës të shkosh Çarshia vlon. Vlon me turistë, vlon me qytetarë, von me shërbime, vlon me biznese,. Mbi 1 mijë familje të Çairit të Shkupit aty e kanë ekzistencën dhe nëse ia bëjmë edhe parkingun do ta dyfishojë punën e saj”, thotë Izet Mexhiti në videon e publikuar në rrjetin social Fejsbuk.
Kanditati për kryetar të Çairit Mexhiti u zotua edhe për transformimin e bulevardit Cvetan Dimov, që do të kushtojl 10 milionë euro. Çairi dhe lagjet përreth sipas Mexhitit, do të kenë një bulevard modern, të sigurt dhe funksional, sipas standardeve evropiane.
Kandidati i BDI-së për Çairin Bujar Osmani ndërkohë po thurr mekanizma për të penguar ndërtimet pa leje. Nëpërmjet mekanizmave të kontrollit nga vetë qytetarët, Osmani thotë se do të rritet transparenca dhe do ti jepet fund kaosit. Do të hapet edhe linjë direkte për denoncim të ndërtimeve pa leje dhe korrupsionit.
“Qytetarët shohin se si komuna e tyre po shndërrohet në xhungël betoni. Ky kaos urban nuk do të vazhdojë më. Ju prezantoj mekanizmin e tretë, për mbrojtje nga ndërtimet pa leje dhe kaosin urban, që e kam quajtur “Roja e Ndërtimit”. Do vendosim një sistem tërësisht të ri për kontroll, monitorim dhe parandalim të ndërtimit të paligjshëm i cili përbëhet nga pesë mekanizma. Skeneri urbanistik – Në kohë reale do të tregojë nëse një objekt ka leje ndërtimi, nëse ka kallëzim për paligjshmëri dhe në cilën fazë gjendet procedura. Legalizim, prishje, ankesë etj. Çdo qytetar do të mund të raportojë ndërtime të dyshimta”. Thotë Bujar Osmani në videon e postuar në rrjetin social Fejsbuk.
Të dy kandidatët e Çairit kanë dërguar edhe akuza në adresë të subjekteve kundërshtare politike, duke akuzuar për dështime në investime dhe keqpërdorime.



