XLajme

E dërguan për të punuar në Çeki – u kthye në arkivol(Video)

“Me datë  13.03.24 e demontonim largpërçuesin e rrymës. Unë kam qenë në tokë, kurse dy montues kanë qenë lartë dhe kanë pritur që të demontohet.
Me një moment dëgjova zërin e shoferit i cili ishte afër meje i cili bërtiste: Largohuni, shtylla po pëlcet. Filluam të vrapojmë që të ikim dhe duke ikur dëgjova se pas meje ka ra shtylla në të njëjtin moment e pash se djemtë që ishin lartë në kosh se si fluturonin drejt tokës.”

Ky është përshkrimi i një dëshmitari në ngjarjen ku humbi jetën 26 vjeçari Aleksandar Mihaillovski nga Zrrnovci.

“Ai më thotë se ka ra një shtyllë, ka ndodhur një tragjedi e madhe, vëllai i yt ka ndërruar jetë. Kur më tha ashtu, rashë edhe unë, telefonin e përplasa në tokë dhe kjo ishte”.

Në këtë lokacion, në afërsi të Pragës ndodhi ngjarja.

“Kur i kanë larguar kabllot metalike nga ana e djathtë, ana e majtë ka filluar të tërheq, ka pëlcitur shtylla dhe i ka mëshuar koshit dhe e ka thyer nga 25.30 metra lartësi, ka ra vëllai im dhe ka vdekur në vendngjarje”, deklaroi Sllagjan Mihaillovski, vëlla i viktimës.

Autopsia e bërë nga autoritetet çeke konfirmon se shkaku i vdekjes ishin frakturat në kafkë dhe në gjoks si pasojë e rënies nga lartësia.

Helmeta e tij e thyer tregon për dhunën e përplasjes fatale.

Për familjen, dhembja më e madhe është mungesa e drejtësisë. Ndërkohë që në Çeki kompania është dënuar dhe i është hequr licenca, institucionet në Maqedoninë e Veriut nuk kanë bërë asgjë konkrete.

“Asgjë nuk di. Avokatët thonë që ende nuk ka asgjë.
– A keni pas çfarëdo kontakti me ambasadën tonë aty? A janë interesuar për rastin që të ndihmojnë në aspekt juridik apo çfarëdo aspekti?
Jo, në Çeki aspak.
Këtu tek ne isha. Më thanë që nuk janë kompetent që të bëjnë diçka prej këtu, patjetër e kam që ta kërkoj atje në Çeki ambasadën tonë.
Isha edhe në Ministrinë e punëve të jashtme… Nuk ka askund përgjigje.
Nuk ka asnjë përgjigje prej askujt”, tha Sllagjan Mihaillovski, vëlla i viktimës.

U interesuam ne për rastin, e përgjigja nga Prokuroria ishte përgjigje pa përgjigje.

“Për shkak se bëhet fjalë për ngjarje që ka ndodhur në territorin e një shteti tjetër, Prokuroria themelore publike nuk ka kompetenca që ti hetojë arsyet e drejtpërdrejta për vdekjen e personit por edhe rregullat për mbrojtje në punë, gjegjësisht ajo është përgjegjësi e organeve çeke. Pas kallëzimit, prokuroria po heton disa hapa të ndërmarra me qëllim që të konstatohet përgjegjësi eventuale ndaj personave juridik dhe fizik të shtetit tonë në lidhje me fatkeqësinë”, deklaruan për PortaliX nga Prokuroria.

Fatkeqësi… Njerëzit vdesin në punë për shkak të pakujdesisë, gabimeve, ka kompani që i ka angazhuar këta njerëz dhe e gjithë në fund mbet vetëm fatkeqësi. Imagjinoni këtë situatë… Rekrutohen persona për të luftuar në një shtet tjetër. Vdesin atje. Policia gjen personat që i rekruton, ama ata nuk kanë faj sepse bashkëqytetaret tanë kanë vdekur në një shtet tjetër. Thjeshtë situatë e çmendur.

Kompania Ellnos DL dooel, që e ka angazhuar Aleksandrin ka seli në Maqedoni të veriut.
Kjo kompani ka angazhuar një vëlla, birë të dikujt dhe e ka dërguar për punë në Çeki. E ka kthyer në arkivol, e përgjegjësi nuk ka.

E pse ka shkuar Aleksandri jashtë shtetit për të punuar?

Për ta ndërtuar një shtëpi.

Ai kishte planifikuar jetën me të dashurën, por nuk është që ka pas shumë mundësi në këtë shtet.
Sot, dhoma e tij ka mbetur e zbrazur e në dhomë po qëndrojnë ende fotografitë me të afërmit e tij, duke e ditur se ai më kurrë nuk do të kthehet.

Related Articles

Back to top button