XLajme

Prindërit nga fshati Hotël kërkojnë ndihmë: Djali me nevoja të veçanta rrezikon të ndërpresë shkollimin

Një djalë me nevoja të veçanta nga fshati Hotel i Komunës së Likovës rrezikon të braktisë shkollimin për shkak të ndërprerjes së bashkëpunimit me asistentin e tij personal, i cili për vite me radhë e ka ndihmuar në edukimin dhe përfshirjen në procesin mësimor.

Prindërit e tij, Sefedin dhe Ibadete Murati, i janë drejtuar me një kërkesë urgjente Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke kërkuar që të mos bëhet zëvendësimi i asistentit aktual, Dardan Latifi, i cili – sipas tyre – ka qenë kyç për përparimin dhe stabilitetin emocional të djalit të tyre, Selim Murati.

“Selimi është shumë i lidhur me asistentin e tij. Kur ai mungon edhe vetëm për një ditë, fëmija nuk pranon të qëndrojë në shkollë dhe kthehet në shtëpi. Po flasim për një fëmijë me ndjeshmëri të thellë psikologjike”, thuhet në shkresën e familjes Murati që kanë dërguar tek PortaliX.

Ata theksojnë se vendimi për të zëvendësuar asistentin është marrë pa konsultim me ta, ndërsa janë të shqetësuar për ndikimin që kjo mund të ketë në të ardhmen shkollore të djalit të tyre.

“Kërkojmë nga Ministria dhe organet përkatëse që të mos lejojnë që një fëmijë me nevoja të veçanta të mbetet pa mbështetjen e domosdoshme. Nëse nuk veprohet me ndjeshmëri, ekziston rreziku që Selimi të mos vazhdojë më shkollën”, thuhet në apel.

Familja Murati apelon që të mos shkelet e drejta e fëmijës për arsim dhe integrim të barabartë, duke kërkuar që institucioni të lejojë vazhdimin e punës së asistentit aktual, i cili ka krijuar një marrëdhënie të fortë besimi me fëmijën.

Kemi kontatuar edhe koordinatoren e asistentëve shqiptar Adelina Haskaj si dhe Ministrinë e Arsimit, por ende asnjëra palë nuk ka dhënë përgjigje.

Related Articles

Back to top button