XStoryXStory

Përzgjedhje e kontestuar e tekstit shkollor të “Arbëria Dizajn”: dorëheqje, data të korrigjuara dhe konflikt interesi

Përzgjedhjen e tekstit shkollor të gjuhës shqipe për klasën e tetë e ka ndjekur një proces i shoqëruar me dorëheqje, vlerësime kontradiktore, data të korrigjuara dhe dyshime për konflikt interesi.

Dyshime për procesin ka ngritur edhe autori i tekstit konkurrues nga shtëpia botuese “Litera”, Avzi Mustafa, të cilit në fazën e parë Byroja për Zhvillim në Arsim i ka dhënë mendim pozitiv, ndërsa Komisioni Recenzues e ka vlerësuar me notën më të ulët.

“Kam krijuar ekip më të madh dhe me ta kemi punuar rreth tre muaj. Asgjë nuk kemi lënë pas dore. Nuk e kuptoj pse më kanë dhënë vlerësim aq të ulët”, thotë Mustafa.

Komisioni Recenzues, i përbërë nga tre anëtarë – Lirije Dauti, Emine Shabani dhe Arlind Farizi – tekstin shkollor të autorit në fjalë e kanë vlerësuar me notën 1, me arsyetimin se nuk i përmbush kërkesat programore. Megjithatë, autori këmbëngul se të gjitha kërkesat janë përmbushur dhe se në mënyrë institucionale kanë kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me notat negative që ka marrë teksti.

48 orë për të vendosur fatin e teksteve shkollore

Sipas dokumentacionit publik, të cilin e ka analizuar PortaliX, i gjithë procesi, që në bazë ligjore parasheh një periudhë prej 14 ditësh, ka filluar dhe përfunduar për vetëm katër ditë.

Menjëherë pas vendimit të Byrosë për Zhvillim në Arsim është formuar Komisioni Recenzues, ndërsa vetëm disa orë më vonë recenzentët kanë marrë materialet për vlerësim, për t’i kthyer ato pas 48 orësh.

Në bazë të materialeve deri tek të cilat ka pasur qasje PortaliX, bëhet fjalë për tekste shkollore me rreth 600 faqe. Autori ngre dyshime se tekstet nuk janë lexuar fare.

“Si mund t’i lexojnë për 48 orë? Nuk mund të lexohen për 48 orë. Ata as nuk janë takuar për t’i shqyrtuar dhe diskutuar”, reagon Mustafa.

Sipas dokumenteve të publikuara, në vlerësimin 48-orësh që kanë dhënë recenzentët, teksti i “Arbëria Dizajn” ka marrë vlerësim pozitiv, ndërsa teksti i “Literës” është vlerësuar negativisht.

Katër ditë më pas, dy nga tre recenzentët, Emine Shabani dhe Arlind Farizi, janë tërhequr nga vlerësimi i tyre profesional dhe të njëjtin e kanë dërguar në Ministrinë e Arsimit. Arsyet e tërheqjes së mendimit të tyre profesional mbeten të paqarta, megjithatë, të dy recenzentët e akuzojnë Ministrinë për manipulim të procesit.

“Ne propozojmë që ky proces të ndërpritet, të formohet një komision i ri recensues dhe librat të rivlerësohen nga fillimi. Ne kemi dhënë dorëheqjen duke pritur që ajo të aprovohet, ashtu siç ndodh në çdo institucion normal kur paraqitet një dorëheqje”, thuhet në qëndrimin e përbashkët të Arlind Farizit dhe Emine Shabanit.

Megjithatë, dorëheqja e tyre nuk e ka penguar procesin, pasi Ministria i ka pranuar dorëheqjet, por jo edhe tërheqjen e vlerësimit, gjë me të cilën nuk pajtohen recenzentët dhe për të cilën janë drejtuar me ankesë shtesë deri në Ministri.

“Jemi thellësisht të prekur nga përgjigjja e MASH-it dhe Komisionit Nacional: ‘Dorëheqja pranohet — mendimi mbetet’. Kjo përbën një situatë të pakuptimtë dhe kontradiktore për ne”, thotë Arlind Farizi.

Sipas Procedurës për mënyrën e zbatimit të procedurës për miratimin e teksteve shkollore përmes konkursit publik, Komisioni Recenzues mund të vazhdojë me punë vetëm në rast se një recenzent tërhiqet.

“Përderisa një anëtar i Komisionit Recensues jep dorëheqje, ndërsa dy të tjerët kanë mendim recensues identik, procedura vazhdon dhe, pas zgjedhjes së anëtarit të tretë, të njëjtit i dorëzohen dorëshkrimet dhe mendimet pozitive nga Byroja/Qendra, së bashku me mendimin recensues të dy anëtarëve, me të cilin ai mund të pajtohet ose të japë mendim të veçantë.”

Më 30 mars, në të njëjtën ditë kur anëtarët e komisionit kanë dhënë dorëheqje, ka arritur edhe vlerësimi final për tekstin e shtëpisë botuese “Arbëria Dizajn”. Megjithatë, që teoria e Ministrisë “Dorëheqja pranohet — mendimi mbetet” të funksionojë, nga shërbimi pedagogjik, me stilolaps mbi vulën e arkivës ku figuron data 30 mars, është shkruar data 26 mars.

Dyshime për lidhje familjare mes recensentes dhe botuesit

E bindur në vlerësimet e saj profesionale deri në fund të procesit ka mbetur vetëm recenzentja Lirije Dauti. Në shikim të parë duket kështu, por jo edhe kur hapet profili i saj në rrjetet sociale. Recenzentja Lirije Dauti dhe pronari i shtëpisë botuese “Arbëria Dizajn”, Dashmir Ademi, njihen dhe kanë relacion familjar, gjë që është në kundërshtim me Procedurën për mënyrën e zbatimit të procedurës për miratimin e teksteve shkollore përmes konkursit publik, e cila thotë:

“Në procedurën për miratimin e teksteve shkollore nuk do të marrë pjesë asnjë person, qoftë si nëpunës administrativ, recensues apo anëtar i Komisionit Nacional, përderisa ndodh ndonjë nga situatat e mëposhtme: nëpunësi ka interes personal të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në çështjen konkrete.”

Lidhur me dyshimet për konflikt interesi, recenzentja Dauti thotë se nuk ka asnjë lidhje të natyrës që pretendohet dhe se gjithçka është në bazë të ligjit.

Për të komentuar rastin konkret dhe procesin në përgjithësi, është kontaktuar edhe Dashmir Ademi nga shtëpia botuese “Arbëria Dizajn”. Ai ka shprehur interes për takim, por jo edhe për të dhënë qëndrime publike.

“Gjithçka sipas procedurës”, siguron zëvendësministri.

Për procesin në fjalë dhe të gjitha parregullsitë kemi kërkuar sqarim edhe nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani. Megjithatë, edhe pse është përballur me faktet, ai ka siguruar se është i njoftuar me rastin dhe se gjithçka ka shkuar sipas procedurave ligjore.

“E gjithë procedura është zhvilluar ligjërisht, brenda afateve ligjore. Pra, këtu nuk ka asgjë që duhet të na shqetësojë. Nëse për shërbimin pedagogjik gjithçka është në rregull, edhe për ne është në rregull”, deklaroi Sulejmani.

Sipas Sulejmanit, nëse nuk ka ankesa nga palët e përfshira, i gjithë procesi është legjitim. I pyetur nëse do të ketë iniciativë për revizion në rastin në fjalë, zëvendësministri tha se për të është e rëndësishme që më 1 shtator nxënësit të kenë libra.

“Nuk bëhet fjalë për një, dy, tre ose katër persona. Bëhet fjalë për gjenerata të tëra. Më mirë të mos kenë libra, sesa t’i kenë me gabime. Turp t’i vijë atij që mendon ashtu”, i përgjigjet autori Mustafa qëndrimit të zëvendësministrit.

Ai shton se që në fillim kishte dyshime se procesi nuk do të ishte i drejtë.

“Që në fillim e lusja të mos futeshim në këtë punë, sepse e dija që do të ishte e vështirë në këtë kohë dhe në këtë sistem drejtësie, me njerëz aq të korruptuar sa që paraja nuk i lë të dëgjojnë asgjë”, thotë Mustafa.

Pikëpyetje ngre edhe vendosja e raportuesit të procesit nga Komisioni Nacional. Nga 21 anëtarë sa numëron komisioni, prej të cilëve dhe shqiptarë, është përzgjedhur Mihajlo Markoviq, ligjërues në Univerzitetin e Tetovës, për të dhënë fjalën finale në këtë rast.

Related Articles

Back to top button