
Një proces i shoqëruar me dyshime për parregullsi dhe konflikt interesi ka ngritur reagime të shumta lidhur me përzgjedhjen e tekstit shkollor “Gjuha shqipe” për klasën e tetë. Siç raporton PortaliX, libri i profesorit Avzi Mustafa, ndonëse kishte kaluar filtrat fillestarë institucionalë, është refuzuar pas një recensimi të realizuar për vetëm 48 orë.
Profesori dhe autori i disa teksteve shkollore, Avzi Mustafa, thotë se puna për librin ka zgjatur me muaj dhe është realizuar me përkushtim maksimal.
“Me përvojën time për nxënësit shqiptarë, për një lëndë identitare, unë nuk kam fjetur net të tëra derisa ta plotësoj dhe ta bëj ashtu siç duhet”, deklaroi Mustafa.
Ai shton se përgatitja e tekstit ka zgjatur afro tre muaj.
“Ne kemi punuar afër 3 muaj nga 5 orë. Uleshim prej orës 10 deri në ora 5, 6, 7. Nuk kemi lënë asgjë anash. Sepse unë jam autor i 15 librave”, tha ai.
PortaliX raporton se në konkurs kanë aplikuar katër autorë, ndërsa Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka eliminuar dy tekste. Në konkurrencë kanë mbetur libri i Mustafës dhe një tjetër tekst, për të cilët Byroja kishte dhënë mendim pozitiv.
Megjithatë, situata ndryshon pas formimit të Këshillit recensues. Sipas informacioneve që ka siguruar PortaliX, tre anëtarët e komisionit kanë qenë nga Tetova, ndërsa dy prej tyre ish-studentë të profesorit Mustafa.
Pikërisht ky komision, për vetëm 48 orë, ka vlerësuar një libër prej rreth 200 faqesh dhe i ka dhënë notën më të ulët.
“Si nuk është fyese? Si mundet për 48 orë ata ta lexojnë? Nuk mundet për 48 orë, ata as nuk janë takuar që ta shohin, të bisedojnë”, deklaroi Mustafa.
Ai akuzon edhe për ndikime dhe interesa në proces.
“Unë në fillim e luta që mos t’i hyjmë kësaj pune, sepse e dija që do të jetë vështirë në këtë kohë dhe në këtë sistem të drejtësisë, të njerëzve të cilët janë aq të korruptuar saqë përpara lekut nuk duan të dëgjojnë asgjë”, tha Mustafa.
Më pas ndodh zhvillimi i papritur. Dy prej tre recensentëve japin dorëheqje dhe tërhiqen nga mendimi i tyre për librin.
“Çka ka ndodhur dhe si ka ndodhur nuk e di. Ose kanë vërejtur diçka, ose i ka vrarë ndërgjegjja se nuk është mirë dikujt t’ia hash hakun”, deklaroi Mustafa.
PortaliX raporton se dyshime shtesë janë ngritur edhe për përbërjen e Komisionit nacional, ku një person me njohuri të nivelit A2 të gjuhës shqipe ka marrë pjesë në vlerësimin e tekstit për gjuhën shqipe.
Mustafa vlerëson se dëmi prek gjenerata të tëra nxënësish shqiptarë.“Këtu nuk është në pyetje një, dy, tre vetë. Janë në pyetje gjenerata të nxënësve shqiptarë”, deklaroi ai.



