LokalXLajme

Të lënë në mëshirë të fatit: Mbi 200 përdorues pa “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi” në Shkup dhe Strumicë

Edhe pse institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, përdoruesit kanë mbetur pa ndihmën e domosdoshme që e merrnin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Një pjesë e tyre varen nga kujdestarët për aktivitete bazë, si higjiena, përgatitja e ushqimit, lëvizja dhe furnizimi me barna.

Mbi 200 përdorues të shërbimit “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi” në Shkup dhe Strumicë kanë mbetur pa mbështetje pasi më 12 maj të këtij viti skadoi licenca e Kryqit të Kuq për ofrimin e këtij shërbimi. Përdoruesit, të cilët janë kategori veçanërisht e ndjeshme dhe varen nga ndihma për kryerjen e aktiviteteve bazë ditore, të premten, më 15 maj, janë njoftuar se atë ditë nuk do të marrin ndihmë nga kujdestarët dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq, pasi licenca nuk ishte rinovuar, duke i lënë familjet në pasiguri dhe pa shpjegim se si do të organizohet më tej kujdesi për më të afërmit e tyre.

Nga Kryqi i Kuq thonë se deri në këtë moment nuk kanë informacion se shërbimi ose bashkëpunimi me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë do të ndërpritet plotësisht, por konfirmojnë se licenca për ofrimin e shërbimit “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi” ka skaduar më 12 maj 2026 në Shkup dhe Strumicë.

“Dokumentacioni për vazhdimin është dorëzuar me kohë. Procedura për rinovimin e licencave është në rrjedhë dhe presim finalizimin e saj”, thonë nga Kryqi i Kuq.

Sipas tyre, përmes Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit dhe organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Strumicë, me këtë shërbim kanë qenë të përfshirë gjithsej 212 përdorues. Në realizimin e tij kanë qenë të angazhuar 81 kujdestarë dhe koordinatorë lokalë, të cilët kanë kaluar trajnime dhe përgatitje praktike për ofrimin e kujdesit dhe mbështetjes në kushte shtëpie.

Nga organizata shtojnë se sipas informacioneve që posedojnë, pritet një thirrje e re publike për financimin e shërbimeve sociale në këto dy mjedise dhe një zgjidhje institucionale që do të mundësojë vazhdimësinë e shërbimeve. Megjithatë, për momentin nuk ka afat konkret se kur shërbimi do të rikthehet.

“Sa i përket përdoruesve, Kryqi i Kuq mbetet në komunikim me ta dhe me familjet e tyre. Në këtë periudhë po bëhen përpjekje për tejkalimin e gjendjes kalimtare deri në përfundimin e procedurave administrative, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kategori veçanërisht të ndjeshme qytetarësh, për të cilët kjo mbështetje është me rëndësi thelbësore”, theksojnë nga Kryqi i Kuq.

Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërkaq, thonë se këtë vit janë shpallur thirrje publike dhe konkurse për ofrimin e shërbimeve sociale, ndërsa në kuadër të këtyre procedurave deri më tani janë lidhur gjithsej 113 marrëveshje administrative me ofrues të shërbimeve sociale dhe komuna.

Sipas Ministrisë, me lidhjen e marrëveshjeve administrative shteti e ndryshon rolin nga ofrues i drejtpërdrejtë i shërbimeve në rregullator, financues dhe kontrollues të ofrimit të tyre, ndërsa ofruesit e licencuar dhe komunat janë ata që janë në komunikim të drejtpërdrejtë me përdoruesit.

Ministria konfirmon se në fillim të vitit ka lidhur marrëveshje administrative me Kryqin e Kuq të qytetit të Shkupit për ofrimin e shërbimit “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi”, por marrëveshja ka vlejtur deri në skadimin e licencës, përkatësisht deri më 12 maj 2026.

Megjithatë, nga Ministria fajin për ndërprerjen e shërbimit e lokalizojnë te ofruesi i shërbimit, përkatësisht Kryqi i Kuq.

“Procedura për rinovimin e licencës nuk përfundoi me kohë për shkak të mosdorëzimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm nga ana e ofruesit të shërbimit, në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore”, thonë nga Ministria.

Edhe pse institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, përdoruesit mbeten pa ndihmën e domosdoshme që e merrnin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Një pjesë e tyre varen nga kujdestarët për aktivitete bazë si higjiena, përgatitja e ushqimit, lëvizja dhe furnizimi me barna.

Sa i përket ankesave se përdoruesit janë njoftuar në moment të fundit për ndërprerjen e shërbimit, nga Ministria theksojnë se në të ardhmen do të kërkojnë njoftim të hershëm dhe transparent nga ofruesit e shërbimeve.

“Në lidhje me çështjen e mosnjoftimit me kohë të përdoruesve, në të ardhmen do të kërkohet njoftim i hershëm dhe transparent nga ofruesi i shërbimit për të gjithë hapat dhe mundësitë e mëtejshme për vazhdimin e shërbimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Nga atje shtojnë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij shërbimi, veçanërisht për përdoruesit që varen nga mbështetja e kujdestarëve për kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

“Ministria, në koordinim me institucionet kompetente dhe ofruesin e shërbimit, po punon për gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme në afatin më të shkurtër të mundshëm”, theksojnë nga Ministria.

Related Articles

Back to top button