XLajmeXStory

Kryetar komune dhe biznesmen që pret ndihmë shtetërore për kompaninë familjare

Derisa udhëheq me Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, kryetari i komunës Oner Jakuposki paralelisht është edhe biznesmen që përfiton ndihmë shtetërore për kompaninë e tij familjare BOS PAKING, gjë që hap çështjen e një konflikti të mundshëm interesi.

Dokumentet me të cilat disponon PortalX tregojnë se para se të bëhej kryetar komune, kompania e Oner Jakuposkit dhe e dy fëmijëve të tij, Belvin dhe Sadulla, ka lidhur aneks-marrëveshje me vendim të Qeverisë.

Kronologjikisht, në një periudhë kohore prej vetëm 10 ditësh, Jakuposki më 3 shtator 2025 fillimisht u konfirmua si kandidat për kryetar të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së. Ndërsa më 12 shtator, Qeveria solli vendim për lidhjen e aneksit të marrëveshjes për mbështetje financiare shtetërore për kompaninë e tij.

“Atëherë nuk kam qenë bartës i funksionit, apo jo? Bëhet fjalë për kompani që ka kontratë pesëvjeçare sipas Ligjit për mbështetje të investimeve dhe ajo kontratë është nënshkruar që me qeverinë e kaluar. Sipas Ligjit për mbështetje të investimeve, tani po kalon viti i tretë ose i katërt, mendoj se është i katërti”, deklaroi kryetari Jakuposki.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës thonë se BOS PAKING ka kontratë valide për mbështetje financiare me periudhë investimi deri në fund të vitit 2026.

“Me ndryshimet e fundit ligjore është formuar Komision për mbikëqyrje, i cili për herë të parë bën analizë dhe kontroll të dokumentacionit për kontratat aktive. Pas përfundimit të kontrollit, kjo kompani, ashtu si edhe kompanitë e tjera që realizojnë të drejtë përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve, duhet t’i marrin mjetet deri në fund të vitit 2026”,
thanë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

BOS PAKING është themeluar në vitin 2021 dhe merret me prodhimin e qeseve dhe thasëve të letrës për përdorime të ndryshme. Sipas platformës “Open Finance”, ndihmën e parë shtetërore e ka marrë gjatë qeverisë së kaluar, në vitin 2023. Atëherë kompanisë, në emër të ndihmës shtetërore, i janë paguar rreth 70 mijë euro.

Ndërsa në vitin 2024, me ndryshimin e qeverisë dhe ardhjen e pushtetit të ri, BOS PAKING ka marrë më shumë se dyfishin, përkatësisht 167.075 euro ndihmë shtetërore.

Por nëse me aneksin e lidhur në shtator të vitit 2025 kjo shumë është rritur dhe sa arrin mbështetja shtetërore me aneksin e ri, nuk e zbulojnë as ministria, as Qeveria dhe as Jakuposki.

Kryetari Oner Jakuposki e ka paraqitur pronësinë në kompani në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Megjithatë, aktualisht ekziston mbivendosje mes funksionit publik të kryetarit të komunës dhe mbështetjes financiare shtetërore për kompani të lidhur me të dhe anëtarët e familjes së tij, gjë që hap çështje për zbatimin e nenit 52 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Ky nen ndalon përdorimin e kredive dhe formave të tjera të mbështetjes nga shteti.

“Me iniciativë personale është formuar lëndë lidhur me pretendimet nga pyetja juaj”, thanë nga Antikorrupsioni.

“Person juridik themelues ose pronar i të cilit ka qenë ose është person i zgjedhur apo i emëruar, ose themelues/pronar është apo ka qenë anëtar i familjes së tij, apo ku anëtar i familjes është person përgjegjës, ose ku personi i zgjedhur apo i emëruar, respektivisht anëtar i familjes së tij posedon aksione ose pjesëmarrje, nuk mund të jetë përfitues i grantit, huasë ose mbështetjes financiare nga shteti apo nga njësia e vetëqeverisjes lokale.”

Nëse në rastin konkret ekziston konflikt interesi, do ta përcaktojë Antikorrupsioni.

“Aneksi ka të bëjë vetëm me realizimin e programit investues, pasi me kontratën bazë është tejkaluar dhe ligji lejon aneks nëse investoni në pajisje të reja shtesë. Që në këtë moment, pasi jam zgjedhur kryetar komune, të kem konflikt interesi, do ta kontrolloj… Në rregull, nëse është ashtu, do të konsultohem me avokatin tim personal për tërheqje apo çfarëdo tjetër”, deklaroi Jakuposki për PortalX.

Oner Jakuposki nuk arriti të sigurojë fitore në zgjedhjet lokale as në raundin e parë dhe as në të dytin, pas së cilës u emërua nga Qeveria si ushtrues detyre në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës. Përfundimisht, fitoi në zgjedhjet e përsëritura në mesin e janarit të këtij viti, pas çka u ul në karrigen e kryetarit të komunës.

Menjëherë pas zgjedhjes si kryetar komune, djemtë e tij themeluan dy kompani të reja – “Ultra Cleaning dhe Servisi GROUP” për pastrim dhe “Pulsar Solutions DOOEL” për teknologji informatike. Këto kompani, të themeluara në fund të janarit dhe fillim të shkurtit, dy javë pasi babai i tyre u bë kryetar komune, fare nuk janë paraqitur në KSHPK, edhe pse ka kaluar afati ligjor prej 30 ditësh nga dita e ndryshimit të fletës anketuese.

Të dhënat publike tregojnë se Belmin Jakuposki është anëtar i partisë në pushtet dhe në vitin 2022 është zgjedhur nga VMRO-DPMNE si kryetar i komitetit komunal në Mavrovë dhe Rostushë. Për djalin më të vogël, Sadullën, Jakuposki thotë se jetojnë në të njëjtën ekonomi familjare.

Megjithatë, fjalën e fundit si për ndihmën shtetërore, ashtu edhe për kompanitë e paparaqitura, do ta ketë Antikorrupsioni.

Autor: Petar Klinçarski

Related Articles

Back to top button