
Propozim-ligji për lojërat e fatit, të cilin Qeveria e prezantoi dy ditë më parë, nuk parasheh mbylljen e platformës online “Megawin”.
Siç bëjn të ditur nga Qeveria, në propozimin e ri parashikohet: kazinot dhe bastoret të jenë të paktën 500 metra larg shkollave, kufizime për reklamim, ndalim i reklamave të drejtuara ndaj të miturve, largimi i aparateve të lotarisë video nga bastoret dhe masa kundër lojërave të fatit online ilegale.
Por a bëhet vërtet fjalë për një propozim të ri apo për masa të ricikluara? Pjesa më e madhe e këtyre masave tashmë ishin pjesë e ndryshimeve ligjore që u propozuan më 7 shkurt të vitit 2024.
Edhe atëherë ishte parashikuar: distancë 500 metra nga shkollat, licenca më të larta, kufizime për hapjen e objekteve të reja dhe rregulla më të ashpra për organizatorët e lojërave të fatit.
“Vlen po e godet fuqishëm industrinë e lojërave të fatit”, shkroi Izet Mexhiti në profilin e tij në Facebook, duke iu referuar ndryshimeve të propozuara që dy vite më parë i kritikonte kur ishte në opozitë.
Atëkohë, Mexhiti nuk pajtohej veçanërisht me nenin që parashikonte zhvendosjen e objekteve të lojërave të fatit në 500 metra nga shkollat dhe kërkonte mbylljen e menjëhershme të të gjitha kazinove dhe bastoreve.
Si u zhduk nga agjenda premtimi për mbylljen e Megawin
Një nga premtimet kryesore që dominoi fushatën parazgjedhore të Izet Mexhitit ishte mbyllja e plotë e kazinove.
Ndërsa Mexhiti paralajmëronte “luftë” kundër lojërave të fatit, platforma shtetërore “Megawin” vazhdoi të funksionojë pa pengesa.
Premtimi politik për mbylljen e saj daton nga 26 shtator 2024. Atëherë, një ditë pasi Qeveria e ngarkoi Lotarinë Shtetërore të nisë procedurat për shfuqizimin e kompanive “Mozzart”, “Bits 77”, “Vezuv” dhe platformës “2win.mk”, Mexhiti deklaroi se edhe “Megawin” do të mbyllej.
“Megawin do të mbyllet. Është 100% shtetërore dhe ka procedurë tjetër. Në mbledhjen e radhës të martën do të mbyllet edhe ajo dhe 100% lojërat online të fatit do të jenë jashtë funksionit në RMV”, deklaroi atëherë Mexhiti.
“Megawin”, platforma e vetme për lojëra fati online që mori pozitë monopol pasi Qeveria shfuqizoi koncesionet me kompani të tjera ku Lotaria Shtetërore kishte pjesëmarrje, duhej të kishte të njëjtin fat si platformat e tjera online. Por më shumë se një vit më vonë, kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, në periudhën e fundit “Megawin” mori promovim të shtuar në televizione, internet, billborde dhe hapësira publike.
Por premtimi mbeti pa epilog.
Opozita e atëhershme DUI e quajti “Izet Megawin Mexhiti”, duke e akuzuar se po e mbron platformën pavarësisht premtimeve për luftë kundër kazinove online.
Portali X në shkurt 2026 rikujtoi premtimet për mbylljen e “Megawin”, por nga Qeveria erdhi një ton më i moderuar. Në vend të një afati konkret, u tha se nevojitet “analizë e detajuar” dhe se procesi është më kompleks. Nga Qeveria u theksua se është duke u përgatitur një Ligj i ri për lojërat e fatit.
Autor: Kristina Ivanovska



