Shëndetsi

Muaj i ri, i njëjti problem: Ndihma sociale vonohet sërish, sistemi ende nuk është harmonizuar me qendrat

“Nuk marrim shtesën për kujdes nga person tjetër, nuk mund t’i blejmë terapitë dhe as t’i kryejmë kontrollet mjekësore”, “Kemi fëmijë dhe familje, ata nuk na pyesin nëse kemi apo nuk kemi para”, “Kjo është tallje me të varfrit”, “Lëshoni paratë për kategoritë e cenueshme, njerëzit po vuajnë edhe për bukën”.

Me komente të tilla është bombarduar publikimi i fundit i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, i bërë një javë më parë, ku ministri Fatmir Limani deklaron se të rinjtë janë burimi më i çmuar i shtetit dhe se duhet të krijohen më shumë mundësi që ata të qëndrojnë në vend.

Megjithatë, ndaj thirrjeve publike të qytetarëve që Ministria të njoftojë se kur do të bëhet pagesa e ndihmës sociale, nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Qytetarët e revoltuar theksojnë se pagesa e ndihmës sociale për kategoritë më të cenueshme më parë kryhej rregullisht më 5 të çdo muaji, ndërsa muajt e fundit ajo po vonohet dhe nuk ka më një praktikë të qëndrueshme, pasi afati ndryshon nga muaji në muaj.

PortalX kontaktoi qendrat e kontaktit të dy bankave komerciale, nga ku na thanë se deri në orën 11:00 ende nuk kishin marrë asnjë njoftim nga institucionet kompetente se gjatë ditës do të realizohej pagesa e ndihmës sociale.

Muajin e kaluar pagesa u realizua më 10 qershor. Atëherë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë sqaroi se vonesa ishte pasojë e zbatimit të një zgjidhjeje të re softuerike, e cila synon modernizimin dhe përmirësimin e proceseve të përpunimit dhe pagesës së të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve në qendrat për punë sociale.

Por, nëse ky ishte arsyetimi për muajin qershor, atëherë cili është problemi këtë muaj?

PortalX iu drejtua mëngjesin e sotëm Ministrisë për të marrë informacion se përse edhe këtë muaj po vonohet pagesa e ndihmës sociale për mijëra përfitues dhe kur qytetarët mund të presin që ajo të realizohet.

Nga Ministria u përgjigjën se kësaj çështjeje po i qasen me seriozitet maksimal dhe se po punohet intensivisht që pagesa të realizohet gjatë ditës së nesërme.

Ata shpjegojnë se, pas vendosjes së sistemit të ri softuerik, vazhdojnë aktivitetet për harmonizimin e plotë të tij me të gjitha proceset në qendrat për punë sociale, me qëllim që të sigurohet përpunim i saktë, i sigurt dhe pa pengesa i të dhënave për secilin përfitues.

“Dëshirojmë të theksojmë se të drejtat e përfituesve nuk janë vënë në pikëpyetje. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, nuk është përcaktuar një afat konkret ligjor për pagesën e këtyre të drejtave. Megjithatë, aktivitetet aktuale janë të orientuara pikërisht drejt krijimit të një sistemi më të qëndrueshëm, më efikas dhe më të rregullt për realizimin e pagesave. I sigurojmë të gjithë përfituesit se pagesa do të kryhet menjëherë pas përfundimit të aktiviteteve përfundimtare të nevojshme në procesin e harmonizimit, ndërsa opinioni do të informohet me kohë sapo të përcaktohet data e saktë e pagesës”, deklaruan nga Ministria për PortalX.

Autor: Petar Klinçarski

Related Articles

Back to top button