XLajme

Politikani në listën e zezë amerikane kërcënon shtetasin amerikan

Napoleoni, një nxënës i klasës së dytë në shkollën fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, ka qenë viktimë e dhunës fizike nga një bashkëmoshatar i tij për disa muaj. Sipas prindit të tij, Danial Jones, fëmija ka përjetuar edhe atë goditje dhe lëndime rënda.

“Një fëmijë nga po e njëjta klasë, ka ushtruar dhunë ndaj djalit tim për një periudhë të gjatë. Herën e parë, e goditi me karrige, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Herën tjetër ia shqeu këmishën dhe më pas e goditi me bërryl në gjoks, që më pas u mjekua,” tregon Jones.

Ai thekson se kjo sjellje është injoruar nga mësuesi dhe drejtoresha e shkollës, të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të mbrojtur fëmijën e tij. Për të mos raportuar për rastin në institucionet përkatëse është organizuar edhe takim me kryetarin e Komunës së Strugës Ramiz Merko, i cili sipas prindërve ka keqpërdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në procesin e hetimit.

“Më 5 dhjetor 2024, unë mora pjesë në një takim me Kryetarin e Bashkisë Ramiz Merko në shkollën “Vëllezërit Milladinovci” Strugë. Veprimet e Kryetarit Merko gjatë takimit ishin jashtëzakonisht intimidues. Ai tentoi të na ushtrojë presion mua dhe gruas sime për të ndërprerë ankesat tona, duke na ndaluar të kërkonim drejtësi dhe siguri për djalin tonë në institucionet përkatëse”
, deklaroi Jones.

Aktualisht, Napoleoni tregon simptoma të një depresioni të lehtë, frikë, vështirësi në gjumë dhe humbje të apetitit, sipas raportit mjekësor.

“Nevojitet trajtim psikologjik dhe mbështetje nga shërbimet psikologjike-pedagogjike të shkollës”, thuhet në raportin e mjekut.

Prindërit e djalit kanë raportuar rastet në polici, ku rezulton se në periudhën nga prilli deri në nëntorin e vitit 2024, djali ka përjetuar dhunë të përsëritur.

Sipas raportit të policisë, më 19 prill 2024, djali u sulmua nga shoku i klasës dhe pësoi dëmtim në fytyrë nga një goditje me karrige. Më 15 tetor, Napoleoni u godit sërish dhe iu gris këmisha, ndërsa më 18 nëntor, ai u godit me bërryl në gjoks.

Pasi prindi i fëmija dhe prindi janë shtetas amerikanë, ata kërkuan ndihmë edhe nga Ambasada e SHBA-ve.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e këtyre ngjarjeve dhe dështimin e autoriteteve vendore për të mbrojtur djalin tim, kërkoj ndihmë nga Ambasada Amerikane. Po ashtu, kërkoj që të sigurohet një hetim për neglizhencën e shërbimeve të shkollës dhe institucioneve qendrore dhe lokale”, thuhet në letrën drejtuar ambasadës.

Prindërit kanë dërguar gjithashtu një ankesë edhe te Avokatit i Popullit.

“Përkundër frikësimit nga drejtoria e shkollës, u përpoqa t’ia paraqes inspektorëve lokalë në Strugë. Inspektori vendor u njoftua për situatën dhe mori një rekomandim nga drejtori i inspektoratit të Ministrisë së Arsimit, Shaban Alazbegu, për ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Megjithatë, inspektorja Violeta, pas rekomandimit të Ministrisë, vendosi të mos ndërmerrte asnjë veprim për të trajtuar abuzimin dhe neglizhencën e vazhdueshme,” shkruhet në ankesën e dërguar Avokatit të Popullit.

Për të marrë qëndrim në lidhje me këtë situatë, kemi kërkuar përgjigje nga drejtoresha e shkollës, Albana Zhuta, por edhe nga kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko të cilët nuk u përgjigjën thirrjeve tona.

Related Articles

Back to top button