Këshilli i Evropës kërkon nga Qeveria e Maqedonisë informacion të detajuar për arrestimin e gazetarit të PortaliX
Me kërkesë të Këshillit të Evropës, në seancën e sotme, Qeveria ka miratuar një vendim me të cilin e ngarkoi Ministrin e Punëve të Brendshme të dorëzojë informacion të detajuar lidhur me rastin e arrestimit të gazetarit Furkan Saliu.
Pas miratimit të vendimit, Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë një javë kohë për t’u përgjigjur në kërkesën e Këshillit të Evropës.
Një javë më parë, gazetari i PortaliX, Furkan Saliu, u arrestua nga njësia speciale e policisë në fshatin Konjare, pas ndeshjes së futbollit Konjare – FK Kumanovo.
Ndonëse ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e akuzoi gazetarin Furkan Saliu se ka sulmuar fizikisht një nëpunës policor dhe u zotua se për këtë posedon fakte, disa ditë më vonë Ministria e Brendshme në vend të kallëzim penal për sulm fizik, njoftoi se ka bërë kallzim penal për “pengim në kryerjen e detyrës zyrtare” duke mos dhënë asnjë detal.
Rasti në fjalë është ndjekur me vëmendje nga organizata ndërkombëtare dhe vendase për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të medias.