
Kreu i Federatës Evropiane të Gazetarëve – EFJ, Ricardo Gutiérrez, ka reaguar jashtëzakonisht i shqetësuar për sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarit dhe themeluesit të PortaliX, Furkan Saliut. Në reagimin e tij, Gutiérrez thotë se sjellja e Ministrisë së Brendshme ndaj Saliut nuk është më e tolerueshme.
“Ai u arrestua në mënyrë arbitrare disa ditë më parë pasi kishte tentuar të dokumentonte dhunën policore pas një ndeshje futbolli… Gjatë ndalimit të tij, mediat pro-qeveritare dhe llogaritë propagandistike në mediat sociale u përpoqën shpejt, por dështuan, të krijonin narrativa të rreme për arsyet e ndalimit të tij, duke përfshirë akuza të pabaza se ai kishte sulmuar oficerët e policisë. Përveç kësaj, disa ministra të qeverisë u përpoqën të njollosin edhe reputacionin e Saliut”, shkruan Gutiérrez.
Pas raportimeve se ndaj Saliut është bërë kallëzim penal nga Ministria e Brendshme, Gutiérrez i bëri thirrje ministrit Pançe Toshkovskit që të respektojë pavarësinë e medias dhe të ketë kujdes në rastet me gazetarë.
“I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, të sigurojë me përpikëri që rastet me gazetarë të trajtohen në përputhje të plotë me standardet ligjore evropiane dhe që çdo hetim që përfshin gazetarët të marrë parasysh nevojën për të respektuar pavarësinë e medias, rolin e tyre në shoqëri dhe në veçanti mbrojtjen e burimeve gazetareske”, thotë Gutiérrez.
Kreu i Federatës Evropiane të Gazetarëve theksoi se regjistrimi i dhunës policore dhe informimi i publikut për të nuk është krim. Janë autorët e kësaj dhune ata që duhet të ndiqen penalisht dhe jo gazetarët që raportojnë për të, në interes të publikut, thotë ai.
“Furkan Saliu ka mbështetjen e plotë të Federatës Evropiane të Gazetarëve – EFJ. Së bashku me bashkëpunëtorët tonë SHGM-në dhe Sindikatën e Gazetarëve, dhe OJQ-të ndërkombëtare për lirinë e shtypit, ne do të ndjekim nga afër rastin e tij. Ne nuk do të lëmë pa denoncuar çdo gabim të autoriteteve në Platformën e Këshillit të Evropës për të promovuar mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve dhe në platformën Mapping Freedom Media. Furkan Saliu bëri vetëm detyrën. Autoritetet duhet ta falënderojnë atë në vend që ta ngacmojnë”, shkruan Gutiérrez.