
Gjykata Penale ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-avokatin e shtetit Fehmi Stafa, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së ndikimit mbi dëshmitarët.
Sipas Prokurorisë, Stafa dyshohet se ka marrë gjithsej 50.000 euro ryshfet, duke premtuar se do të ndikonte në heqjen e masës së paraburgimit për një person të dyshuar për krime financiare, i cili ndodhet në arrati.
“Fillimisht, i dyshuari kishte kërkuar shumën prej 100.000 euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit ndaj një personi të pakapshëm nga organet e ndjekjes, kundër të cilit Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon procedurë për vepra penale kundër financave publike, pagesave dhe ekonomisë”, njoftojnë nga Prokuroria.
Më 6 tetor 2025, ai dyshohet se ka pranuar 30.000 euro, të dorëzuara nga motra e personit në arrati. Ndërsa më 13 dhjetor 2025, ka kërkuar dhe pranuar edhe 20.000 euro të tjera, të cilat, sipas hetimeve, ishin destinuar për t’ia dhënë një gjyqtari.
“Menjëherë pas pranimit të parave, i dyshuari është arrestuar dhe gjatë kontrollit tek ai janë gjetur paratë”, bëjnë të ditur nga Prokuroria Publike.


