
Pas gati dy vite pritjeje, banorët e fshatit Radushë në Komunën e Sarajit tashmë kanë ambulancën e tyre funksionale, të pajisur me kushte moderne dhe me mjek nga vetë fshati.
Në hapjen solemne morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik, Samir Iseni, si dhe kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, i cili theksoi se ky investim është një dëshmi konkrete e përkushtimit për përmirësimin e kushteve të jetesës në çdo vendbanim të komunës.
“Pas shumë viteve pritjeje, Radusha më në fund ka ambulancën e vet funksionale, me standarde moderne dhe mjek nga komuniteti. Shërbimet shëndetësore më afër qytetarëve do të thonë më shumë siguri, kujdes dhe një cilësi më e mirë e jetesës për të gjithë,” tha Elmazi.
Sipas tij, ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e barabartë të të gjitha fshatrave të Sarajit.
“Ndryshimi veçmë po ndjehet,” shtoi ai, duke theksuar se përkujdesja ndaj shëndetit të qytetarëve është ndër prioritetet kryesore të programit të tij.
Ambulanca e re në Radushë do t’u mundësojë banorëve të marrin shërbime shëndetësore bazë pa qenë të detyruar të udhëtojnë drejt qendrës së Sarajit apo Shkupit, duke lehtësuar ndjeshëm qasjen në mjekësi dhe kujdesin parësor.



