Lokal

Bujar Osmani, me plan gjithëpërfshirës për rinovimin e shkollave

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media kushtuar arsimit, paralajmëroi një plan gjithëpërfshirës për rinovimin e të gjitha shkollave në komunë, duke theksuar se pikërisht shkollat janë themeli i çdo bashkësie të shëndoshë dhe përparimtare.

“Problemi me shkollat është një sfidë e veçantë, dhe këtu planifikojmë rinovim të plotë të të gjitha shkollave. Shkollat tona kanë çati që pikojnë, kanë tualete të cilat fëmijët nuk i përdorin, dhe është i nevojshëm një remont i plotë që klasat të jenë sipas standardeve më të reja të teknologjisë, por edhe të inteligjencës artificiale – klasa STEM me të gjitha pajisjet e nevojshme, me oborre shkollore të mjaftueshme, me fusha të përshtatshme sportive dhe me hapësira të mjaftueshme të gjelbra,” theksoi Osmani.

Ai paralajmëroi edhe një koncept të ri – “Shkolla, shtëpia jonë e dytë”, një projekt që do t’u mundësojë fëmijëve të qëndrojnë në shkollë edhe pas mbarimit të mësimit dhe të kenë aktivitete shtesë. Osmani theksoi se rinovimi i shkollave duhet të shkojë paralelisht me rikthimin e dinjitetit të mësimdhënësve, sepse ata janë shtylla e procesit arsimor.

“Do t’ia kthejmë dinjitetin profesionit të mësuesit, sepse ata janë ata që e nxisin procesin arsimor. Do t’i stimulojmë ata që organizojnë aktivitete sportive jashtë orarit të mësimit, por edhe ata që angazhohen gjatë qëndrimit ditor në shkolla për aktivitete të tjera,” paralajmëroi Osmani.

Ai ndau edhe të dhëna nga një krahasim mes Çairit dhe komunës fqinje Qendër, që tregon diferenca të mëdha në kushtet arsimore që ofrohen.

“Bëmë një krahasim mes shkollave në Çair dhe atyre në Qendër, por edhe me një shtet të Bashkimit Evropian. Diferenca është më e madhe mes një shkolle në Çair dhe një shkolle në Qendër, sesa mes Qendrës dhe një shkolle në BE. Thjesht, nuk guxojmë ta lejojmë këtë. Kjo është një përgjegjësi morale, njerëzore dhe historike që të mos ua marrim fëmijëve vitet më të rëndësishme të zhvillimit,” theksoi Osmani.

Ai theksoi se kjo nuk është një premtim politik, por një obligim personal ndaj fëmijëve, mësimdhënësve dhe gjithë qytetarëve të Çairit, duke i ftuar të gjithë prindërit dhe qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit.

“Nuk e them këtë për fushatë zgjedhore. Arsimi ka qenë pasioni im gjatë gjithë jetës dhe do të jetë pasioni ynë si një lëvizje për ndryshim. Nëse Çairi ka nevojë për ndryshim, atëherë vetëm çështja e arsimit dhe shkollave fillore është një argument i mjaftueshëm për këtë ndryshim,” deklaroi Osmani.

Pas konferencës për media, Osmani së bashku me një grup mësuesish dhe mësuese realizoi një marsh për ndryshim dhe shpresë, duke dërguar mesazhin se arsimi cilësor është prioriteti më i lartë i çdo shoqërie.

Related Articles

Back to top button