Mexhiti: Çairi drejt modernizimt të shërbimeve komunale të pastrimit përmes vendosjes së kontejnerëve nëntokësorë

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot një plan për përmirësimin rrënjësor të higjienës komunale, duke e cilësuar atë si “fundin e epokës së improvizimeve” dhe fillimin e një zgjidhjeje sistematike për sfidat shumëvjeçare me mbeturinat dhe pastërtinë në territorin e komunës.
Plani, i strukturuar në tre shtylla kryesore, parashikon modernizimin e sistemit të mbeturinave përmes instalimit të kontejnerëve nëntokësorë, një partneritet strategjik me ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale”, dhe një fushatë të gjerë për vetëdijesimin e qytetarëve.
“Sot nuk jemi këtu për të folur për problemet – ato i dimë të gjithë. Sot jemi këtu për të ofruar një plan të qartë, konkret dhe të realizueshëm që do ta transformojë Çairin në një komunë të pastër, të rregullt dhe moderne, ashtu siç e meritojmë të gjithë,” u shpreh Mexhiti gjatë prezantimit.
Ai njoftoi gjithashtu se projekti kapital “Çair pa mbeturina në rrugë” do të financohet me një buxhet prej 120 milionë denarësh dhe do të realizohet brenda 36 muajve. Kontejnerët nëntokësorë do të zëvendësojnë plotësisht sistemin aktual të grumbullimit të mbeturinave.
“Ky nuk është një projekt për një të ardhme të largët – zbatimi fillon menjëherë, me faza, duke nisur nga pikat më kritike të komunës,” theksoi ai, duke shtuar se projekti do të sjellë jo vetëm përmirësim të pastërtisë, por edhe ulje të erërave të pakëndshme, më shumë efikasitet dhe një imazh më të bukur urban për Çairin.
Shtylla tjetër e planit përfshin rritjen e bashkëpunimit me Qytetin e Shkupit dhe NP “Higjiena Komunale”, për të siguruar pastrim të rregullt, ekipe mobile ndërhyrëse dhe ndarje më të qartë të përgjegjësive.
Në fund, Mexhiti theksoi rëndësinë e edukimit qytetar dhe përfshirjes së të gjithë komunitetit në mbajtjen e hapësirave të përbashkëta të pastra, nën moton “Rruga ime, shtëpia ime”.



