
Në hapjen solemne të shtabit zgjedhor në lagjen Dizhon 2, kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN, Izet Mexhiti, theksoi se ka ardhur momenti për një ndryshim të vërtetë dhe të thellë në Çair.
Në fjalimin e tij para qytetarëve, Mexhiti thumboi qeverinë e kaluar për mungesë të projekteve konkrete, duke theksuar se dy zëvendëskryeministra nga Çairi, Artan Grubi dhe Bujar Osmani nuk kanë realizuar asnjë projekt të rëndësishëm për komunën, pavarësisht pozicionit të tyre.
“60% e taksave në nivel të qytetit vijnë nga Çairi dhe ato duhet të kthehen si investime të drejtpërdrejta. Nëse ka ndonjë investim nga e kaluara, ai mban vulën tonë. Ata që sot kërkojnë votën, le të tregojnë qoftë një projekt që e kanë nisur dhe përfunduar në Çair, nuk ka asnjë”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se ndërtimet e egra në lagje si Dizhon janë probleme të trashëguara që datojnë që nga periudha e ish-Jugosllavisë, dhe se zgjidhja e tyre kërkon angazhim të guximshëm, jo vetëm retorikë politike.
Mexhiti prezantoi edhe disa nga projektet që tashmë po realizohen në këtë lagje dhe jo vetëm:
Ndërtimi i rrugës “Ferid Murati”,
Përfundimi i pishinës në shkollën “Ismail Qemali”,
Asfaltimi i rrugëve lokale në disa lagje,
Mexhiti më tej tha se përmes ndërmarjeve komunale në Qytetin e Shkupit do të bëjnë shumë punë edhe në komunën e Çairit dhe ato ndërmarje do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.



