
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një prezantimi publik sot në Çair, para qytetarëve dhe mediave, ka promovuar konceptin e ri për zhvillimin e sistemit parashkollor në komunë, duke theksuar se kapacitetet pritëse do të trefishohen në mandatin e ardhshëm përmes investimeve konkrete në infrastrukturë moderne dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët.
“Çairi ka qenë gjithmonë simbol i rinisë, jetës dhe fillimeve të reja. Edhe sot, Çairi mburret me shkallën më të lartë të natalitetit në vend. Kjo është forca jonë, krenaria jonë, por mbi të gjitha, përgjegjësia jonë më e madhe”, u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se forca e një shoqërie nuk matet vetëm me numra, por me vlerat, dijen dhe urtësinë që transmetohet tek brezat e rinj, dhe për këtë arsye ka vendosur një prioritet të qartë: krijimin e një sistemi të arsimit dhe përkujdesjes që nis që në moshën më të hershme.
“Investimet e planifikuara janë Çerdhja Bambi, tashmë funksionale, me kapacitet prej 360 fëmijësh, aktualisht më e madhja në vend, çerdhja e re që do të ndërtihet nga e para në Fushë Tophanë “Borëbardha” që do të ketë kapacitet prej 300 fëmijësh dhe Çerdhja e re që gjithashtu ndërtohet nga e para ketu ‘Vesëza’ gjithashtu me kapacitet prej 300 fëmijësh” tha Mexhiti.
Koncepti për arsimin parashkollor në mandatin e ri të Mexhitit mbështetet në tri shtylla themelore:
Infrastrukturë moderne – me ambiente të sigurta, të përshtatshme dhe stimuluese;
Barazi dhe përfshirje – me klasë të dedikuara edhe për fëmijët me autizëm dhe nevoja të veçanta, staf i motivuar dhe profesionist – edukatorë që punojnë me përkushtim dhe dashuri për çdo fëmijë.
Në fund të fjalës së tij, Mexhiti e cilësoi këtë si një investim afatgjatë në kapitalin njerëzor dhe një hap konkret për një të ardhme më të mirë për familjet në Çair.



