
VLEN ka reaguar ashpër ndaj BDI-së apo AKI-t, duke i akuzuar se gjysma e kryesisë së tyre ndodhet në lista të zeza ndërkombëtare dhe se nuk kanë as moralin, as kredibilitetin të flasin për çështjen e “botës serbe”.
“Nëse dikush për dy dekada i ka shërbyer interesave të Serbisë, atëherë janë pikërisht ata që sot bëjnë moral me ‘shqiptarinë’. Shkurt e shqip sa keni punuar ju për shqiptarët, aq ka punuar Mijallkovi për drejtësinë”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Në reagimin e tyre, VLEN akuzon BDI/AKI-nëpër manipulime politike, shpifje dhe keqpërdorime, duke theksuar se këto forca përdorin ndjenjat e qytetarëve për të mbuluar korrupsionin e lartë. Ata kujtojnë edhe raportin e Western Balkans Anti-Disinformation Hub, i cili paralajmëron për rrezikun e keqpërdorimit të marrëdhënieve ndëretnike për dezinformata dhe tensione.
Në listën e akuzave të VLEN përmenden projektet dhe veprimet e BDI-së që, sipas tyre, kanë shërbyer interesave serbe: iniciativa “Ballkani i Hapur”, takimet e shumta të Bujar Osmanit në Beograd, plani 9-pikësh në dëm të Kosovës, kontaktet e Fatmir Besimit me gjeneralë serbë të akuzuar për krime lufte, hyrja e kompanisë serbe MTEL në tregun vendor, përpjekjet për dorëzimin e Tetovës tek oligarku i sanksionuar Daka Davidoviq, si dhe dhënia e nënshtetësisë për Onishçenkon.
VLEN thekson se shqiptarët meritojnë më shumë pas dy dekadash qeverisje të BDI-së dhe se alternativa e vetme reale për ndryshim është vetë kjo forcë politike./PortaliX



