Lokal

Mbajtja e studentëve në kufi – a është Dogana përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në shoqëri?

Pas publikimit të videos ku shihet ndalimi i një autobusi me studentë për disa orë në mes të rrugës, PortaliX iu drejtua me pyetje zyrtare Administratës Doganore për të sqaruar bazën ligjore dhe procedurat e ndjekura gjatë këtij rasti.

Pyetjet tona ishin konkrete dhe lidhen me arsyet e ndalimit të autobusit, kohëzgjatjen e kontrollit, respektimin e procedurave standarde, si dhe sjelljen e inspektorit doganor Stashe Andreev, i cili në video dëgjohet duke iu drejtuar studentëve me fjalën “shut up”.

Nga Dogana thonë se kontrollet e tilla janë pjesë e detyrave të tyre të rregullta dhe se realizohen në përputhje me Ligjin për Administratën Doganore dhe Ligjin Doganor.

Sipas përgjigjes së institucionit, kontrolli në rastin konkret ka zgjatur “një orë e gjysmë” dhe është zhvilluar “në përputhje me standardet etike dhe profesionale”.

“Përkundër faktit se nga pala tjetër ka pasur padurim të dukshëm dhe qasje agresive, gjë që shihet edhe nga incizimet e siguruara, qasja profesionale e inspektorëve është ruajtur në nivel maksimalisht të lartë”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Megjithatë, institucioni nuk jep përgjigje konkrete për sjelljen e inspektorit ndaj studentëve dhe nuk sqaron nëse do të ketë procedurë të brendshme apo hetim disiplinor.

Po ashtu, në përgjigje nuk citohet asnjë nen konkret nga Ligji për Administratën Doganore apo Ligji Doganor që do të arsyetonte ndalimin shumëorësh të autobusit me studentë.

Kompetencat e Doganës lidhen kryesisht me kontrollin e mallrave, akcizave, kontrabandës, pagesave doganore dhe transportit komercial, por jo me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve pa bazë të qartë procedurale.

Procedurë hetimore për inspektorin Sashe Andreev, i cili pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE është avancuar në inspektor doganor të njësitit mobil, sipas gjithçkaje, nuk do të ketë.

Arsyeja mbetet e paqartë, por një hetim eventual do të duhej të zbulonte edhe se kush ka dhënë urdhrin për ndalimin e studentëve.

Related Articles

Back to top button