
Nëse nuk mund të përfundohet as një rrugë që kalon pranë shtëpisë së kryetarit të komunës, Onur Jakuposkit, atëherë vështirë se banorët e Skudrinjës në Mavrovë dhe Rostushë mund të presin realizim më të shpejtë edhe të premtimeve të tjera infrastrukturore.
Gati një vit pas paralajmërimit për rikonstruksionin, rruga në fshat ende nuk ka përfunduar, edhe pse Qeveria e prezantoi atë si simbol të “ndryshimit të përhershëm” dhe zhvillimit lokal në kulmin e fushatës parazgjedhore.
Rikonstruksioni filloi në korrik 2025 dhe ishte paraparë të përfundonte në dhjetor 2025. Por, pesë muaj më vonë, rruga ende nuk është rikonstruktuar.
Pse nuk është përfunduar – e pyetëm kryetarin Jakuposki, i cili thotë se projektin e ka trashëguar në ngecje nga paraardhësi i tij.
“Duke pasur parasysh periudhën dimërore dhe muajt, sezoni ndërtimor në komunë fillon në mars dhe prill dhe tashmë në terren është përfunduar shtresa e parë e tamponimit dhe valimit. Një pjesë po asfaltohet. Mendoj se deri në fund të muajit do të asfaltohet dhe përfundojë tërësisht… Këtu u mbajtën zgjedhjet e përsëritura dhe për shkak të periudhës dimërore, kjo ishte arsyeja e vonesës. Ekziston edhe aneks-marrëveshje mes investitorit dhe realizuesit për vazhdimin e afatit”, thotë kryetari Jakuposki.
Kronologjia e ngjarjeve tregon qartë se ky projekt mori mbështetje të fuqishme institucionale pikërisht në periudhën kur nevojat lokale u përputhën me qëllimet politike. Qeveria promovoi rikonstruksionin në dhjetor 2025 – moment që përkoi me fushatën zgjedhore.
Në atë periudhë, Qeveria emëroi Onur Jakuposkin si ushtrues detyre në Komunën e Mavrovë dhe Rostushë, i cili më pas hyri në garën për postin e kryetarit në zgjedhjet e përsëritura që u mbajtën më 11 janar.
Se Skudrinja dhe rajoni i Rekës shërbyen si aset i fuqishëm parazgjedhor, e dëshmon edhe vizita e kryeministrit Hristijan Mickoski më 9 janar, vetëm dy ditë para votimit.
Kryeministri erdhi personalisht në terren për t’i dhënë mbështetje të fortë Jakuposkit, duke dërguar mesazhin se komuna ka mbështetje të plotë qeveritare për stabilitet, zhvillim dhe “projekte reale”. Por, pasi zgjedhjet përfunduan, rruga ende pret pamjen e saj finale.
Ky shembull edhe një herë hap pyetjen legjitime:
A përdoren vërtet investimet kapitale për të përmirësuar jetën e qytetarëve apo shërbejnë vetëm si instrument parazgjedhor?
Autor: Petar Klinçarski



