
Ngjarja për “vënien në përdorim të gjashtë sallave operative të rikonstruktuara” në Qendrën Klinike Nënë Tereza në Shkup, në të cilën morën pjesë gjysma e qeverisë, la përshtypjen se sallat tashmë janë funksionale dhe të gatshme për operacione. Megjithatë, një muaj më pas, ato vazhdojnë të jenë jashtë funksionit.
Bëhet fjalë për një projekt me vlerë 282 milionë denarë, i cili ka përfshirë rikonstruktimin e sallave operative në Departamentin e traumatologjisë pranë Klinikës për traumatologji, sëmundje ortopedike, anestezi, reanimacion, trajtim intensiv dhe Qendrës urgjente (TOARILUC), dy salla në Klinikën e urologjisë dhe dy në Klinikën e kirurgjisë pediatrike.
Sipas burimeve të PortaliX, njëra ndër arsyet kyçe pse po vonohet hapja është mungesa e kushteve bazë. Madje, në njërën prej tyre është konstatuar një gabim teknik i cili pamundëson funksionimin e aparaturës, pasi nuk është instaluar rrjeti trofazor.
Kryeministri Hristijan Mickoski para një muaji deklaroi se për disa muaj pritet të vihen në përdorim edhe katër sallat e mbetura operative, me çka do të përmbyllet i gjithë projekti.
“Le të theksojmë se tani janë vënë në përdorim gjashtë, respektivisht do të vihen në përdorim gjashtë salla. Pritet që për disa muaj nga sot edhe katër salla shtesë të vihen në përdorim, me çka do ta përmbyllim procesin me 10 të tilla salla bashkëkohore, shumë moderne”, deklaroi Mickoski.
Se sallat nuk janë lëshuar për përdorim e konfirmuan edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Nga atje njoftojnë se të njëjtat do të fillojnë me punë kur të gjitha të jenë gati.
Vonesa e hapjes së sallave në repartet e lartpërmendura vazhdon t’u sjellë vështirësi në funksionim ekipeve mjekësore. Ekipet mjekësore që punojnë në këto reparte, për PortaliX thanë se nuk janë informuar se kur mund të jenë gati për t’i përdorur.
Nga atje shtojnë se mungesa e sallave të operimit ua ka vështirësuar punën dhe se aktualisht janë të detyruar të punojnë me dy ndërrime.
Autor: Kristina Ivanovska


