XLajme

Klinika e Fëmijëve: Stafi pa paga, Memedi i “shpërblen” me honorare kushëririn dhe bashkëpunëtorët e tij

Në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, 50 persona të angazhuar me kontrata pune me afat të caktuar prej katër muajsh punojnë pa paga dhe me kontrata të skaduara, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Megjithatë, kriza aktuale financiare në klinikë nuk e ka ndalur drejtorin nga angazhimi i personave të afërt me të.

Sipas burimeve për Portali X, drejtori Rexhep Memedi ka arritur të sigurojë fonde dhe të angazhojë kushëririn e tij, Alajdin Memedi, si bashkëpunëtor i jashtëm, së bashku tre persona të tjerë të afërt me të: Meri Miladinova – ekonomiste, Jasmina Gavrilovska – juriste dhe Elizabeta Damevska Jovanovska.

Sipas informacioneve të siguruara, këta persona tashmë janë të punësuar edhe në institucione të tjera shëndetësore, ndërsa honoraret e tyre në Klinikën e Fëmijëve variojnë nga 30.000 deri në 50.000 denarë në muaj.

Nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve konfirmojnë angazhimin e katër personave, por thonë se kjo ka qenë e domosdoshme për shkak të mungesës serioze të kuadrit profesional, sidomos në sektorin administrativ.

“Prej vitesh nuk kemi udhëheqës në sektorë si kontabiliteti, prokurimet publike dhe punët juridike. Në konkursin e fundit për këto pozita nuk pati asnjë kandidat. Për këtë arsye, dhe në përputhje me mundësitë ligjore, kemi angazhuar katër persona me kontrata konsulence për të siguruar funksionimin e këtyre segmenteve”, njoftojnë nga Klinika.

Ata shtojnë se për këto angazhime konsulence nuk ka qenë e nevojshme pëlqimi nga Ministria e Financave.

Lidhur me 50 të punësuarit, nga atje bëjnë të ditur se tashmë është dërguar kërkesë në Ministrinë e Financave për vazhdimin e kontratave për vitin 2026 dhe presin miratim për periudhën janar–prill, pas së cilës do të vijojë edhe zgjatja për muajt e tjerë.

“Universiteti Klinik për Sëmundje të Fëmijëve, për shkak të mungesës kritike të kuadrit dhe sipas nevojave të të gjitha reparteve, gjatë vitit 2025 ka angazhuar gjithsej rreth 50 persona me kontrata pune. Një pjesë e tyre janë të angazhuar edhe nga vitet e kaluara, dhe falë këtij stafi po mundësohet funksionimi normal i Klinikës dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore”, theksojnë nga Klinika.

Megjithatë, mbeten të hapura pyetjet për kriteret e përzgjedhjes së këtyre personave, si dhe për kohën e angazhimit të tyre.

Sipas informacioneve që ka siguruar redaksia, një pjesë e të angazhuarve të rinj lidhen me vetë udhëheqjen e institucionit, gjë që ngre dyshime për konflikt të mundshëm interesi.

Autor: Kristina Ivanovska

Related Articles

Back to top button